Thursday, March 28, 2024

(Intervista) Çiklizmi shkodran shkëlqen edhe në garat ndërkombëtare. Trajneri Leonard Kola i kënaqur me suksesin e dytë radhazi të talentit Servet Kastrati, por kërkon mbështetje nga klubi dhe Bashkia për vazhdimësinë

Lexo

Çiklistët e Vllaznisë të drejtuar nga trajneri pasionant Leonard  Kola nuk dijnë të ndalen. Viti 2021 ka filluar në mënyrën më të mirë nga ekipi kuqeblu ku pas fitimit të Kupës “Tirana” nga talenti Servet Kastrati, ishte po ky çiklist që shkëlqen edhe në garat ndërkombëtare të zhvilluara në Maqedoninë e Veriut. “Cup Macedonia Velesh 2021” titullohej aktiviteti në fjalë ku Vllaznia mori pjesë me një grup çiklistësh, mes të cilëve spikasnin Bruno Kola, i cili rikthehet në garë pas një periudhe dëmtimi që kaloi sezonin e kaluar, për të vijuar me Servet Kastratin, Gjergj Zefin, Mateo Balajn. Figurën më të mirë sportive nga grupi i çiklistëve kuqeblu e ka bërë Servet Kastrati, i cili meritoi vendin e parë, Kupën dhe Medaljen e Artë në garën  e zhvilluar në shtetin fqinjë. Në intervistën e dhënë për  “Veriu Sport”, trajneri Leonard Kola, flet aktivitetin ndërkombëtar të Maqedonisë së Veriut si dhe vazhdimësinë e çiklistëve shkodranë për vitin 2021 duke mos nguruar të kërkojë mbështetje nga SK Vllaznia dhe Bashkia Shkodër për përmirësimin e kushteve stervitore si dhe mbështetjen financiare ndaj talentëve për të mos i lënë të largohen si të tjerët më përpara.

Profesor Kola, urime për suksesin e arritur në garat ndërkombëtare të Maqedonisë së Veriut, kupa e dytë radhazi që fitoni në këtë fillim sezoni.

Faleminderit. Ekipi i Vllaznisë ishte i ftuar në Turneun Ndërkombëtar “Cup Macedonia Velesh 2021”. Mund të them me plot gojë që duke pasur parasysh terrenin shumë të vështirë si dhe një ditë me kohë shumë të keqe, reshje të dendura shiu dhe temperatura të ulëta, çiklistët tanë bënë një paraqitje mjaft të mirë duke e përballuar me sukses këtë garë, madje, duke fituar edhe trofe. Paraqitjen më të mirë në këtë garë e bëri Servet Kastrati, i cili meritoi edhe medaljen e artë. Paraqitje të mirë kanë bërë edhe Bruno Kola, Gjergj Zefi dhe Mateo Balaj, duke e radhitur ekipin e Vllaznisë mes më të mirëve të aktivitetit.

Të ndalemi paksa tek kampioni, Servet Kastrati, i cili në harkun kohor të pak ditëve arrin të fitojë dy kupa, një në Tiranë dhe tjetrën në Velesh të Maqedonisë së Veriut.

Patjetër, Serveti është një talent i lindur, jemi duke punuar gradualisht me të duke shpresuar dhe besuar se do ta fitojmë këtë çiklist. Por, ndërkohë mbesim me shpresë që një talent i tillë të mos ketë fatin e talentëve të tjerë të çiklizmit shqiptar. Sepse, të them të drejtën, dy-tre vitet e fundit janë larguar 7-8 çiklistë, të cilët kanë qenë mjaft cilësorë dhe me të ardhme, por kushtet ekonomike i kanë detyruar të largohen. Në këtë mënyrë, ato që e kuptojnë, bëhet fjalë që gjithë ajo punë këmbëngulëse dhe profesionale e konsumuar me këto sportistë në procesin stervitor për t’i sjellë në nivelin e suksesit, bie e tëra poshtë me largimin e tyre në destinacione të tjera për mungesë të kushteve jo të mira ekonomike që kanë dhe shpërblimit tejet minimal financiar që përfitojnë nga sporti.

Këtë fundjavë Federata Shqiptare Çiklizmit në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër kishte planifikuar të zhvillonte Kupën “Agim Tafili” në Shkodër, por duket se për arsye financiare nuk do të zhvillohet.

Është e vërtetë që nuk do të zhvillohet këtë fundjavë. Por, duke pasur parasysh rëndësinë dhe emrin e madh të Agim Tafilit që ka kjo Kupë, bazuar në një bisedë aktuale që kisha me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Çiklizmit, ato premtuan se Kupa “Agim Tafili” do të zhvillohet patjetër, por në një datë të ardhshme që do të caktohet shumë shpejt.

Ndërkohë, që në vijim do të jetë edhe gara më e rëndësishme e vitit, Turi i Shqipërisë në çiklizëm. Vllaznia është gati për këto aktivitete?

Patjetër, në muajin Maj, me datë 20 kemi Turin Çiklistik të Shqipërisë që është edhe evenimenti kryesor për vitin 2021. Ne si Vllazni jemi duke u përgatitur intensivisht, shpresojmë që të rikuperohen plotësisht edhe dy çiklistët kryesor të ekipit, Bruno Kola dhe Besmir Banushi duke pasur në objektiv ta mbyllim me sukses edhe këtë aktivitet madhor.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img