Sunday, May 5, 2024

(Intervista) Gilman Lika, kritik për barazimin me Partizanin, optimist për Europen përmes kampionatit

Lexo

Ashtu si edhe për shumë të tjerë, edhe për Gilman Likën, paraqitja e Vllaznisë në sfidën e javës së kaluar me Partizanin ishte zhgënjyese. Jo vetem barazimi 0-0, por mënyra e lojës që shfaqën kuqeblutë, nuk e kanë kënaqur ish kapitenin e Vllaznisë, Gilman Lika.

Gilman, ta nisim nga ndeshja e kaluar me Partizanin, si e përjetuat ju si ish futbollist shkodran këtë barazim pa gola, që në një farë mënyre nuk la shije të mirë tek tifozëria shkodrane?

Të them të drejtën, ishte një ndeshje që kemi mbetë pak të zhgënjyer, sepse u priste një reagim i ekipit, jo vetëm tek rezultati, por edhe tek loja. Por, gjithësesi, mendoj se është një moment që skuadra po kalon një ngërç psikologjik. Gjithësecili prej nesh që jemi jashtë, ne duhet të japim atë ndihmën tonë, në mënyrë që ekipi ta kalojë sa më shpejt këtë periudhë të keqe që jemi duke e kaluar. Duke e parë nga afër ndeshjen, për mua është pak problematike kur ekipi nuk është në gjendje për të krijuar raste për gol.

Sipas jush, çfar nuk shkoi që Vllaznia nuk arriti të përmbushë objektivin e saj të fitores në këtë ndeshje?

Nëse futemi ta analizojmë në hollësi ka shumë probleme që nuk shkojnë në këtë ndeshje. Ndoshta, duhet me orë të tëra të diskutojmë, aq shumë probleme ka në këtë drejtim. Por, personalisht, nuk kam dëshirë të jem shumë kritik për momentin, sepse po të jemi realist, edhe nëse bëjmë ndonjë kritikë nuk është e tepërt. Sepse dua të jap atë mesazhin optimist në mënyrë që ekipi ta kalojë sa më shpejt këtë periudhë të keqe që po kalon për momentin.

Lika, krahas të tjerave, ka jo pak komente edhe për një rënie të aspektit disiplinor në skuadër, siç ishte rasti i përplasjes Krymi-Latifi dhe Hakaj-Aralica gjatë ndeshjes me Partizanin.

Unë mendoj se nuk duhet të bëhen shumë tragjike këto lloj skenash, sepse për mendimin tim është diçka normale. Është një ndeshje 90-të minutash ku emocionet janë shumë të mëdha. Nuk po them normale, por deri diku janë të lejueshme, jo vetëm tek Vllaznia, por të vësh re, edhe në ndeshjet e tjera të niveleve shumë të larta, ka episode të tillë që ndodhin që shumë raste. Padiskutim që këto episode janë për shkak të asaj gjendje të keqe që po kalon ekipi për momentin dhe normalisht që do të ketë edhe ndonjë fërkim mes lojtarëve. Por, siç e thashë edhe më përpara, është një moment i vështirë që po kalon skuadra, për vetë faktin se duke iu referuar edhe ndeshjes së fundit me Partizanin, është shumë problematike që ekipi nuk arrin të krijojë raste goli. Por, shpresoj që kjo situatë të ndryshohet sa më shpejt të jetë e mundur.

Dhe, ky ndryshim, mendoni se mund të vijë që këtë fundjavë, kur Vllaznia pret në “Loro Boriçi” Skënderbeun, i cili pas humbjes në shtëpi me Egnatian ka rënë shumë moralisht në lidhje me mbijetesen në Superiore?

Në radhë të parë, dua të shpreh atë keqardhjen e madhe për ekipin korçar, duke ditur atë marrëdhënien shumë pozitive që kemi pasur ne si shkodran me Korçën. Dhe, më vjen shumë keq që ka shkuar në këtë pikë, por gjithësesi, edhe Vllaznia është në një situatë delikate, ku edhe asaj i duhet ta fitojë këtë ndeshje, për të menduar që ta kalojë këtë situatë negative në të cilën gjendet.

Dhe, menjëherë pas Skënderbeut, Vllaznia do të ndeshet me Dinamon, me një tjetër skuadër që duket e pashpresë për qëndrimin në Superiore. Mendoni që kuqeblutë janë me shans në këtë drejtim që Plori dhe skuadra në tërësi, t’i gëzohet gjashtë pikëve shumë të rëndësishme për fatet e renditjes.

Padiskutim që është një shans për Plorin por edhe për ekipin. Janë dy ndeshje që as nuk duhet të diskutohet 6 pikëshi. Dhe, mendoj se këtë 6 pikësh të mundshëm për t’u marrë, besoj se do ta ndryshjojnë tërësisht situatën problematike në kampin kuqeblu.

Vllaznia, për momentin është në vend të pestë me një pikë më pak se Partizani. Besoni që kuqeblutë do t’ia dalin për të kapur zonën Europiane përmes kampionatit?

Padiskutim që e mendoj një gjë të tillë, dhe për këtë jam duke dhënë atë mesazhin pozitiv, në mënyrë që Vllaznia të shkojë në finalen e Kupës së Shqipërisë e qetë. Pra, që të mos jetë kjo finale, për “jetë a vdekje”, por që duke u siguruar Europa përmes kampionatit, finalja të luhet më e qetë për t’i sjellë një trofe qytetit të Shkodrës.

Pra, ju mendoni, që një situatë e shëndoshë në kampionat, ndikon edhe në atmosferen e finales së Kupës së Shqipërisë?

Kjo është diçka e padiskutueshme që një gjë e tillë ka një ndikim shumë të madh. Unë do të kisha dashtë që Europa të sigurohet sa më shpejt përmes kampionatit. Dhe, nëse arrihet një gjë e tillë, atëherë, besoj se fitorja e Kupës do të jetë shumë më e arritshme.

Ndërkohë, ju shikojmë me uniformën e kombëtares, si pjesë e kursit të trajnerëve UEFA A që po ndiqni në kryeqytet

Pothuajse kemi ardhë në përfundim të kursit, edhe dy javë kemi në marrjen e leksioneve të fundit nga profesorët e nderuar që kemi në Tiranë. Unë, sapo erdha nga Tirana, është diçka pozitive, rruga që unë kam ndjekë pas lënies së sportit, dhe shpresoj të kem atë formimin e duhur si trajner.

Që, do të thotë se do të kemi një Gilman Likë, ashtu siç ka qënë cilësor në fushën e lojës, tashmë edhe në fushën e trajnimit të futbollit.

Shpresoj shumë ta arrij një gjë të tillë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img