Friday, May 17, 2024

(Intervista) Latifi, i kënaqur që goli i tij në transfertën e Ballshit i dha fitoren dhe vendin e katërt Vllaznisë, por mendon se kuqeblutë ishin për titull

Lexo

Liridon Latifi ishte heroi i Vllaznisë në ndeshjen e fundit të kampionatit në Ballsh, teksa shënoi golin që vulosi pjesëmarrjen e kuqebluve në Ligën e Konferencës. Megjithatë, sezoni 2022-2023 ka qenë për t’u harruar për sulmuesin nga Prishtina, sepse pësoi një dëmtim të rëndë dhe qëndroi disa muaj jashtë fushave.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, pas përfundimit të sezonit, Latifi tregon për vuajtjet dhe shansin e humbur të Vllaznisë për të luftuar për titull. 29-vjeçari ka konfirmuar për gazetën se kontrata e tij me klubin shkodran ka mbaruar, ndërsa nuk ka asnjë garanci tashmë nëse do të jetë sërish i kuqebluve edhe në sezonin e ardhshëm. Sulmuesi sqaroi edhe polemikat që pati me ish-trajnerin e shkodranëve, Mirel Josa.

Liridon, një sezon mes vuajtjesh për ju personalisht dhe Vllazninë. Ishte si çlirim ai gol në Ballsh që vulosi edhe pjesëmarrjen në Europë?
Ishte një sezon me shumë vuajtje për mua, sepse pësova një dëmtim të rëndë, për më tepër që ishte një rikuperim i vështirë. Më zgjati plot 4 muaj dhe si rrjedhojë mbeta jashtë fushave. Gjithashtu për skuadrën nuk shkuan gjërat ashtu siç duhet, por falë Zotit në fund arritëm atë objektivin minimal që kishim, pjesëmarrjen në Kupat e Europës.

Pas gjithë këtyre peripecive me dëmtimet, cila ishte gjëja më e keqe që ju erdhi në mendje për karrierën kur qëndruat disa kohë jashtë fushës?
Nuk më shkoi në mendje asgjë e keqe për sa i përket vazhdimësisë dhe rikthimit tim në fushë. Ajo më vjen keq është vetëm që gjërat nuk shkuan siç unë i kisha menduar në fillim të këtij sezoni.

Si e shpjegoni faktin se në këtë sezon me kaq pritshmëri për Vllazninë, mezi u arrit objektivi minimal?
Mendoj se ishte një sezon i vështirë dhe i pafat për Vllazninë, sepse kishim shumë lojtarë që u dëmtuan dhe thuajse asnjëherë nuk luajtëm me gjithë potencialin që kishim. Ky ka qenë penalizimi më i madh për ekipin.

Duke parë nivelin e Partizanit dhe Tiranës, mendoni se keni pasur grup më të mirë se klubet e kryeqytetit?
Sinqerisht mendoj se Vllaznia, me skuadrën që kishte, duhej të ishte në luftë me Partizanin dhe Tiranën deri në fund për titullin kampion, por ndonjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu siç duhet.

Me trajnerin Mirel Josa patët probleme. A mund të na sqaroni se çfarë ndodhi në ndeshjen, të cilën luajtët në Durrës, që solli më pas pezullimin tuaj?
Me trajnerin Josa ndodhën disa keqkuptime, të cilat u zgjidhën pastaj. Nuk ia vlen t’i komentoj, sepse janë gjëra që ndodhin në një skuadër.

Cila do të jetë e ardhmja juaj, do të qëndroni te Vllaznia apo në Ballsh ishte ndeshja juaj e fundit me fanellën kuqeblu?
Kontratën me Vllazninë e kam mbaruar. Se çfarë do të vendos për të ardhmen, do të shihet në ditët në vijim.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img