Sfidë rivalësh, konsiderohet përballja, Vllaznia-Skënderbeu, duel i cili i përket javës së 18-të të Abissnet Superiore që luhet të premten në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës duke nisur nga ora 17:00. Ish futbollisti i njohur kuqeblu, i cili më herët ka drejtuar edhe ekipin e parë, sot trajner moshash në klubin Vllaznia, Luan Zmijani beson se në fitoren e radhës së skuadrës kuqeblu.
Profesor, me paraqitjet pozitive të ndeshjeve të fundit, duket se Vllaznia po shkon drejt konsilidimit si një skuadër pretendente.
Është e vërtetë që ekipi i Vllaznisë ka rritje, shikohet edhe në pikët që ka marrë në ndeshjet e fundit. Për vetë faktin që ndeshja e fundit për këtë vit kalendarik përkon të luhet në “Loro Boriçi”, besoj që ka për të qenë një ndeshje e fortë kundër një kundërshtari që kemi një pikë diferencë, por mendoj që trepikëshi ka për të qenë për skuadrën tone, për një mbyllje sa më pozitive të këtij sezoni kalendarik që kemi.
Sa e ka rritur moralin e skuadrës fitorja e fundit me Tiranën?
Padiskutim që morali i skuadrës është rritur ndjeshëm me këtë fitore, pasi kundërshtari “historik” i joni ka qenë Tirana. Po të kthehemi mbrapa në kujtesë, gjithmonë kur kemi mundur Tiranën, kemi qenë në Kupat e Europës dhe kjo është një arsye më tepër për të tentuar arritjen e radhës, fitoren me Skënderbeun, pse jo të afrohemi me tepër në zonën e katërshes ku diskutohet tituli.
Formacioni i profesor Qatip Osmanit ka dy mungesa të rëndësishme në prapavijë si Hakaj dhe Smajli. Sa ndikon kjo në mbrojtjen kuqeblu?
Nuk dëmton vetëm mbrojtjen, por edhe fazën sulmuese të skuadrës tonë pasi janë dy lojtarë me tipare që mbështesin mirë vijën e sulmit me daljet e tyre në krahë si Hakaj po ashtu edhe Smajli. Por mendoj që trajneri do ta ketë planin B për të zevëndësuar mungesat e rëndësishme dhe të mund të marrë maksimumin e kësaj ndeshjeje.
Zmijani, është diçka e veçantë për ju personalisht në këtë ndeshje, pasi në majën e sulmit korçar të Skënderbeut vjen një shkodran si Ardit Nikaj të cilin ju e keni pasur sportist tuajin te Vllaznia U-19, madje i keni propozuar drejtuesve që të qëndronte në Shkodër, por tashmë është pjesë e Skënderbeut.
Në futboll dihen këto lëvizje, nuk është e thënë që një futbollist që del nga Akademia Vllaznia mund të luaj me ekipin e parë sepse po të nisemi kështu kemi shumë emra që janë duke lënë gjurmë në Superioren e FSHF-së, pra ka lojtarë me shumicë. Një ndër to, këtë radhë i takon të vij të luaj në “Loro Boriçi” Nikaj. Unë i uroj t’i ecë sa më mirë, një 90-minutësh pozitiv për të dhe së fundmi të humb dhe të fitojmë ne.
Zmijani faleminderit!
Faleminderit ju!