(Intervista) Samuel Nikaj: Besimi i drejtuesve, objektivi dhe lidhja e veçantë me Burrelin – Nga Fatos LAMAJ

Lexo

- Reklamë -spot_img

Samuel Nikaj në sezonin e tretë në drejtimin e Burrelit vlerëson maksimalisht besimin e drejtuesve matjanë dhe thekson se do të mundohet t’ua shpërblejë me punë dhe rezultate.

Trajneri kërkon të ruajë filozofinë e klubit duke ndërtuar një skuadër kompakte ku mbizotëron fryma e grupit dhe ku i kushtohet rëndësi zhvillimit të lojtarëve të rinj veçanërisht atyre matjanë.

Nikaj pranon se Burreli ka ndryshuar ndjeshëm këtë sezon por shpreson që ndryshimet të jenë për mirë.

Ai evidenton si një problem të futbollit shqiptar mungesën e vazhdimësisë së grupeve dhe ardhjen e lojtarëve të rinj nga akademitë pa formimin e duhur.

Pavarësisht ndryshimeve trajneri nuk vendos objektiva të pamundura.

Synimi konkret është një nga gjashtë vendet e para në Kategorinë e Parë ndërsa nëse gjatë sezonit krijohen kushtet për të synuar më lart Burreli do ta provojë.

Nikaj e sheh kampionatin të fortë dhe konkurrues me skuadra si Flamurtari,Besa,Bylis,Pogradeci e Besëlidhja por nuk përjashton as surprizat.

Ai e përshkruan veten si një trajner që nuk ankohet dhe që është mësuar të punojë me mundësitë që ka në dispozicion.

Për Nikajn më e rëndësishme është krijimi i një grupi të bashkuar dhe ruajtja e standardit të punës.

Në fund trajneri shkodran ndalet te lidhja e tij e veçantë me Burrelin pasi ai ka qenë pjesë e klubit që si futbollist në sezonin 1998-1999 më pas si drejtor në vitin 2012 dhe tashmë si trajner.

Për këtë arsye Nikaj shprehet se pas kaq vitesh mund të quhet edhe ai vendali ndërsa lidhjen me tifozët e konsideron po aq të veçantë dhe premton se skuadra do të jap maksimumin për të nderuar fanellën e Burrelit.

Profesor Nikaj jeni tashmë në sezonin e tretë në drejtimin e Burrelit. Çfarë do të thotë për ju kjo vazhdimësi?

Më gëzon besimi i drejtuesve matjanë. Do të mundohem me punë dhe me rezultate t’ua shpërblej besimin që kanë tek unë. Burreli është një skuadër me traditë dhe ka vite që ruan të njëjtin standard pune,falë njerëzve që e drejtojnë me përgjegjësi.

Pas dy sezonesh pune me këtë skuadër, sa më i lehtë është sot ndërtimi i grupit dhe zbatimi i filozofisë suaj?

Në skuadrat tona është problem vazhdimësia me një grup të caktuar dhe çdo ditë e më keq po bëhet me ardhjet nga akademitë,pasi po vijnë lojtarë të paformuar. Ne do të mundohemi të ruajmë të njëjtin mentalitet,me një skuadër kompakte ku të mbizotërojë fryma e grupit dhe zhvillimi i lojtarëve të rinj,kryesisht atyre matjanë.

Çfarë mendoni se ka ndryshuar te Burreli gjatë këtyre tre viteve?

Realisht kemi ndryshuar shumë këtë vit. Shpresoj për mirë. E rëndësishme është që të vazhdojmë me të njëjtin standard pune dhe të ndërtojmë një skuadër sa më kompakte.

Sa e njihni sot më mirë ekipin dhe cilat janë elementet që nuk dëshironi të ndryshoni në projektin tuaj?

E njoh shumë më mirë ekipin dhe ambientin. Ajo që nuk dua të ndryshoj është mentaliteti. Duam një skuadër kompakte ku të mbizotërojë fryma e grupit dhe ku lojtarët e rinj sidomos matjanët,të kenë mundësinë të zhvillohen.

Çfarë ju ka mësuar eksperienca e dy sezoneve të para dhe çfarë do të bëni ndryshe këtë vit?

Unë jam trajner që nuk ankohem. Gjatë karrierës time nuk kam pasur kurrë luksin të bëj zgjedhje ekskluzive por edhe kështu ia kam dalë mbanë gjithnjë. Do të vazhdojmë të punojmë me të njëjtin përkushtim dhe me mundësitë që kemi.

Si e vlerësoni sezonin e kaluar dhe çfarë mendoni se i mungoi Burrelit për të arritur një objektiv edhe më të madh?

Gjithmonë ka gjëra për t’u përmirësuar. Ne do të mundohemi që këtë sezon të bëjmë një hap përpara të jemi më të konsoliduar dhe më konkurrues.

A është ky sezoni ku Burreli mund të bëjë një hap përpara dhe të synojë më shumë në Kategorinë e Parë?

Do të vazhdojmë me të njëjtin standard pune. Synimi është të jemi në mesin e artë dhe me një sy të shohim edhe për më lart. Nuk i kemi mundësitë që të kërkojmë me patjetër Superligën por nëse do të na jepet rasti, do ta provojmë.

Sa të kënaqur jeni me grupin që keni në dispozicion dhe me lëvizjet e merkatos?

Realisht kemi ndryshuar shumë këtë vit. Shpresoj për mirë. Do të mundohemi që me lojtarët që kemi të ndërtojmë një skuadër kompakte dhe konkurruese.

A ka ende nevojë skuadra për përforcime apo mendoni se grupi është i kompletuar?

Do ta shohim gjatë përgatitjeve. Unë nuk ankohem dhe nuk kam pasur gjatë karrierës luksin të bëj zgjedhje ekskluzive. Me atë që kemi do të mundohemi të bëjmë më të mirën.

Cili është objektivi që i keni vendosur vetes dhe skuadrës për këtë sezon?

Objektivi ynë është një nga gjashtë vendet e para.

Kategoria e Parë pritet të jetë sërish shumë e fortë. Cilat mendoni se do të jenë skuadrat që do të luftojnë për ngjitjen?

Janë skuadrat e traditës si Flamurtari, Besa, Bylis por edhe Pogradeci e Besëlidhja nuk mbeten prapa. Megjithatë nuk përjashtohen surprizat siç ishte Iliria vitin e kaluar.

A e shikoni Burrelin mes ekipeve që mund të jenë surpriza e këtij kampionati?

Normalisht që edhe ne do të synojmë surprizën ashtu siç pretendojnë edhe Iliria, Kastrioti, Korabi, Kukësi, apo edhe Orikumi e Sopoti.

Sa e rëndësishme është për ju që të ruani bazën e skuadrës dhe të keni vazhdimësi edhe në formacion?

Është shumë e rëndësishme por në futbollin shqiptar vazhdimësia me një grup të caktuar është problem. Ne do të mundohemi të krijojmë sa më shumë stabilitet dhe të ruajmë frymën e grupit.

Pas tre sezonesh sa e ndjeni veten pjesë të projektit të Burrelit dhe sa e shikoni veten të lidhur me këtë klub?

Burreli është skuadra që më ka dhënë më shumë në karrierë. Që në sezonin 1998-1999 si futbollist në Superiore në vitin 2012 si drejtor dhe tani në vitin e tretë si trajner. Besoj se me gjithë këto vite në Burrel mund të quhem edhe unë vendali tani. Kam lidhje të ngushtë me tifozët sepse pas gjithë këtyre viteve besoj se jam bërë edhe unë një nga ata.

Çfarë do t’u premtonit tifozëve të Burrelit për sezonin që po nis?

Do të japim maksimumin për të nderuar bluzën e Burrelit. Do të punojmë fort dhe do të bëjmë gjithçka që skuadra të jetë sa më konkurruese dhe të arrijë objektivin që i kemi vendosur vetes.

Fatos LAMAJ

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img