Kuqezinjtë marrin tre pikët e para, por ka kritika për lojën. Andorrë-Shqipëri 0-1

Andorrë-Shqipëri 0-1

Golat: Lenjani 41’

ANDORRA: Gomes; Llovera, Vales, San Nikolas, Rubio; Martinez, Rebes, Vieira, Cervos; Alaez, Fernandez. Trajner: Koldo Alvarez

SHQIPËRI: Berisha; Gjimshiti, Kumbulla, Ismalji, Lenjani, Hysaj; Gjasula, Bare, Memushaj; Cikalleshi, Manaj. Trajner: Edi Reja

E enjte 25 mars 2021, ora 20.45, “Estadi Nacional” Andorra

Ka mjaftuar një gol i shënuar nga Lenjani në të 41-tën minutë të pjesës së parë të ndeshjes kundër kombëtares së Andorrës që Shqipëria të marrë tre pikët e para në kualifikueset e Kupës së Botës, “Katar 2022”. Ndeshja e luajtur mbrëmjen e së enjtes “Estadi Nacional” ka folur tërësisht për kuqezinjtë tanë të cilët duhet thënë se e dominuan takimin në të gjitha aspektet. Por, megjithatë, për specialistët dhe analistët e futbollit, kombëtarja e jonë nuk ishte në nivelin e kërkuar. Sipas tyre, përballë një skuadre modeste si Adorra, me lojtarët cilësorë që tekniku Reja ka në dispozicion, kombëtarja e Shqipërisë duhej ta kishte mbyllur më herët ndeshjen duke shënuar edhe golin e qetësisë, apo edhe diçka tjetër më shumë.

Sidoqoftë, më shumë se gjithçka në këtë ndeshje vlen fitorja dhe tre pikëshi i parë i marrë në këto eleminatore, të cilat krijojnë besimin e duhur që Shqipëria të marrë të tjera rezultate pozitive në ballafaqimet e ardhshme.

Referuar kronikës së lojës duhet thënë se trajneri Reja u paraqit në këtë sfidë me një skemë 3-5-2, duke shmangur çdo llojë befasie përsa i përket formacionit. Kuqezinjtë që në minutat e para treguan synimet e tyre për këtë sfidë, por pa forcën e duhur përballë një kundërshtari të lehtë në letër, që mbrohej me forca të shumta.

Manaj, Cikalleshi dhe Ismajli kishin mundësitë e tyre për të gjetur rrugën e rrjetës, por mungesa e përqëndrimit, ndoshta edhe e fatit bënë që të përfundonin në kronikën e rasteve të humbura. Gjithsesi, për të zhbllokuar sfidën ka menduar Lenjani.

Mesfushori i krahut të majtë, pas një kombinimi të bukur me Baren, ka shkarkuar të majtën e tij, e pakapshme për portierin Gomes, duke kaluar kuqezinjtë në avantazh pikërisht në minutën e 41-të të sfidës, 1-0, që është dhe rezultati i pjesës së parë.

Edhe në pjesën e dytë, të besuarit e trajnerit Reja kanë të njëjtin ritëm, asnjëherë në nivelin e dëshiruar, por dominues ndaj një kundërshtari si Andorra, që bëri shumë pak për të merituar më shumë në këtë sfidë.

Nuk munguan rastet për Shqipërinë, Broja dhe Gjasula vendosën emrin e tyre në kronikën e rasteve të humbura. Megjithatë, sfida është mbyllur me fitoren e kuqezinjve, që u gëzohen tri pikëve të para në këtë aventurë të re. Fitore kjo që shpresojmë të japë efektin e duhur moralo-psikologjik për ta kaluar me sukses përballjen e ditës së diele përballë një emri të madh të futbollit botëror, si Anglia që do të jetë mysafir në stadiumin “Arena Kombëtare” të kryeqytetit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu