Friday, May 3, 2024

Laçi rikthehet tek fitorja. E dyta radhazi nën drejtimin e Gentjan Mezanit

Lexo

Laçi-Erzeni 1-0(Shënues: Ujka(p) 45+3’)

Laçi ka lënë pas problematikën e javëve të para të kampionatit dhe tashmë, me ardhjen në krye të skuadrës të trajnerit Gentjan Mezani, duket se është kthyer në rrugë të mbarë. Dy fitoret radhazi nën drejtimin e trajnerit vlonjat, janë një dëshmi e qartë e punës së mirë që ka nisur të bëhet në këtë klub.

1-0 në favor të kurbinasve është mbyllur ndeshja e luajtur pasditen e sotme në stadiumin e Laçit përballë Erzenit të Shijakut, takim i vlefshëm për javën e 14-të të Superiores. Një sukses që e ngjit skuadrën ndjeshëm në klasifikim duke parë nga afër zonën e Europës, ndryshe nga fillimi i sezonit që ishte një krizë totale.

Sfida nisi e vrullshme për të dyja skuadrat, në kërkim të golit që në minutat e para. Gjithsesi, goli që bëri diferencën u shënua në fundin e pjesës së parë nga Ujka. Në fakt ishte një penallti e fituar nga Babatunde pas ndërhyrjes së parregullt të Sadikit dhe Ujka nga pika e bardhë është treguar i saktë, 1-0.

Në pjesën e dytë, pikërisht në minutën e 73-të, Laçi shënoi dhe golin e dytë me anë të Shkurtajt, por VAR anulloi gjithçka pasi është evidentuar një prekje e topit me dorë në fillim të aksionit nga ana e Adeleke.

Erzeni nga ana e tij u përpoq me të gjitha mënyrat për të arritur barazimin, por forma e mirë e Dajsinanit si dhe mungesa e saktësisë në finalizim në disa raste bënë që rezultati të mbetej i pandryshuar deri në fund, tri pikët shkojnë për skuadrën kurbinase.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img