Atletika shkodrane ka humbur para kohe, në moshë fare të re kampionin Dardan Baraku. Nga sa bëhet e ditur, 16 vjeçari ndërroi jetë pas një sëmundje të rëndë që e shqetësoi ditët e fundit, ku megjithë përkujdesjen maksimale të familjes së tij nuk ia doli.
Dardani ishte një talent dhe kampion i garës së 100 metrave për grupmoshën 16-vjeçare, ku trajnerët e tij të ekipit Vllaznia e kanë vlerësuar atw si një djalë të talentuar, i përkushtuar dhe shembull i pasionit për atletikën. Një gjë të tillë, e përcjellë edhe njoftimi i dhënë nga ana e Shoqatës së Atletikës Vllaznia:
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen e parakohshme nga jeta pas një sëmundjue të rëndë të atletit tonë të ri Dardan Baraku, kampion i Shqipërisë në garën e 100 metrave për grupmoshën U16.
Dardani ishte një djalë i talentuar, i përkushtuar dhe shembull i pasionit për atletikën. Me punën, disiplinën dhe rezultatet e tij, ai i solli krenari Shoqatës së Atletikës “Vllaznia” dhe sportit shkodran, duke lënë gjurmë në zemrat e trajnerëve, bashkëmoshatarëve dhe të gjithë atyre që e njohën.
Humbja e tij është një dhimbje e madhe për familjen, miqtë, komunitetin sportiv dhe për të gjithë ne që patëm fatin ta shihnim të rritej si sportist dhe si njeri.
Në këto momente të vështira, Shoqata e Atletikës “Vllaznia” i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Baraku, të afërmve dhe miqve të Dardanit, duke ndarë me ta këtë dhimbje të madhe.
Kujtimi i Dardan Barakut do të mbetet gjithmonë i gjallë mes nesh.
U prehtë në paqe!”
Portali Veriu Sport, i përcjellë ngushëllimet më të sinqeta familjes Baraku si dhe komunitetit të atletikës shkodrane dhe asaj shqiptare për humbjen e një kampioni si dhe të një djali model në të gjithë drejtimet.
Pushofsh në paqe, kampion! I përjetshëm kujtimi yt!
Gaspër MARKU


