Vllaznia vazhdon të jetë shumë aktive në merkaton e verës dhe ka finalizuar një tjetër transferim me peshë.
Skuadra shkodrane ka siguruar shërbimet e mbrojtësit të majtë Emiljano Musta i cili ka vendosur të mbyllë bashkëpunimin me Elbasanin dhe të nisë një aventurë të re në “Loro Boriçi”.
34-vjeçari ka firmosur kontratën me kuqeblutë dhe pritet ti bashkohet menjëherë skuadrës së drejtuar nga trajneri Edi Martini në një moment shumë të rëndësishëm të sezonit.
Vllaznia është vetëm pak ditë larg debutimit në kompeticionet europiane ku do të përballet me Malishevën në raundin e parë kualifikues të UEFA Conference League ndërsa ardhja e Mustës i jep trajnerit më shumë alternativa eksperiencë dhe siguri në repartin defensiv.
Mbrojtësi i majtë është një nga futbollistët më me përvojë në elitën e futbollit shqiptar ku gjatë karrierës së tij ai ka veshur fanellat e Elbasanit,Egnatias,Partizanit,Teutës,Flamurtarit,Kukësit,Laçit dhe Shkumbinit duke qenë gjithmonë një lojtar i rëndësishëm në skuadrat ku ka luajtur.
Një nga momentet kulmore të karrierës së tij erdhi me Egnatian ku ishte pjesë e ekipit që fitoi titullin kampion në sezonin 2023/24.
Përvoja e fituar në kampionat dhe në ndeshjet ndërkombëtare pritet të jetë një vlerë e shtuar për Vllazninë e cila synon të zhvillojë një sezon të suksesshëm në të gjitha kompeticionet.
Me afrimin e Emiljano Mustës drejtuesit shkodranë konfirmojnë edhe një herë ambiciet e tyre për të ndërtuar një skuadër konkurruese.
Merkatoja e Vllaznisë vazhdon të jetë ndër më aktivet në Superligë ndërsa tifozët kuqeblu presin që përforcimet e reja të ndihmojnë ekipin të rikthehet protagonist si në kampionat ashtu edhe në arenën europiane.
Fatos LAMAJ


