Thursday, February 29, 2024

Nga: Martin DEDAJ* TEK BURRELI PRITET KTHESA… – Intervistë me sulmuesin Florenc Faruku –

Lexo

“Burreli as që e diskuton qëndrimin në këtë kategori, madje synon të ngjisë shkallët e rënditjes duke i marrë ndeshjet një e nga një, filluar nga ndeshjet e radhës me Elbasani dhe Korabin që i pret në “Liri Ballabani”, prej të cilave synon të marrë rezultate pozitive”, kështu deklaron sulmuesi me numër 7 Florenc Farruku, teksa beson tek fryma e kolektivitetit dhe forca që ka grupi,  që nisur nga këto përballje do të nis kthesa.

Pas barazimit me Besën, jeni në vendin e 8-të, një shkallë më lart zonës së ftohtë. Komenti juaj?

– Jemi ngjitur një vend më siper, por s’jemi aspak të kënaqur me vendin aktual në tabelën e klasifikimit. Sa i përket ndeshjes me Besën i kishim të gjitha mundësitë për të marrë pikët e plota, por ndikuan shumë faktor. Pavarësisht kësaj, ne duhet ti kërkojmë ato tek vetja jonë, pasi nuk jemi aty ku duhet të jemi.

Në 17 javë, Burreli ka marrë 16 pikë, çfarë do të thotë më pak se një pikë. Pse kjo gjendje?

– Vetë rezultatet e arritura dhe rënditja në tabelën e klasifikimit, janë treguesit më kokëfortë, që dëshmojnë se ne kemi patur një paraqitje jo të mirë deri tani. Në fazën e parë kemi humbur ndeshjet me disa ekipe direkte në fushën tonë, si fjala bie me Luzin dhe Lushnjen, humbje që kanë qenë një ndikim i keq në kampionat, por më shumë tek ekipi ynë. Por duhet evidentuar fakti se paraqitja jonë si futbollist nuk ka qenë e kenaqshme dhe nuk kemi dhënë atë ç’ka duhej të jepnim. Se di ç’far të them më tepër dhe çfarë të shpreh për arsyen!

Përveç pikëve, jeni ndër ekipet që e keni golavarazhin negativ më të madh -12 gola, ndërkohë që ekipi ka shënuar vetëm 10 gola, nga të cilët 3 nga ana juaj. Si lojtar i vijës sulmuese, si do ta argumentonit këtë gjendje?

– Personalisht më duhet të pranoj se paraqitja ime, pavarësisht përpjekjeve, nuk ka qenë në nivele maksimale, pasi i kanë munguar golat ekipit, por dhe mua si sulmues, si dhe jemi ndeshkuar në disa ndeshje me shumë gola, ku vetëm me Luzin këmi pësuar 5 gola. Komente të tjera janë të tepërta. Duhet të ulim kokën e të përmirësohemi në të ardhmen.

Pyetje: Kohë më parë është larguar Bubeqi dhe në krye të ekipit ka ardhur Hima, a ka ndikuar kjo në gjendjen jo të mirë të Burrelit?

– Joo…, nuk besoj se ka ndikuar, pasi jemi të njejtët lojtar, si me Presor Bubeqin edhe me Presor Klevisin. Sipas mendimit tim, ndërrimi i trajnerit është një shtysë për ne futbollistët, që të angazhohemi dhe të japim më shumë, pasi çdo trajner ka metodën e vet të stërvitjes, dhe prirja e lojtarëve është që ti përshtaten sa më shumë stilit të tij. Dhe në këtë kontekst mendoj se ardhja e trajnerit Hima, i ka dhënë një impuls tjetër skuadrës dhe ka patur një impakt pozitiv.

Dhe konkretisht çfarë ka ndryshuar tek ekipi me ardhjen e Himës tek Burreli?

– Mendoj se ka ardhur një frymë ndryshe. Duke injektuar një stërvitje komplekse, me alternime të elementëve stërvitor, më me ritëm, duke synuar për të plotësuar boshllëqet që kemi patur, si dhe ka futur koncepte dhe elementë që na kanë munguar, duke na imponuar të jemi më të fokusuar, që të japim akoma më shumë seicili prej nesh individualisht dhe në funksion të kolektivitetit dhe produktivitetit në grup. E ritheksoj se Presor Hima ka punuar me secilin prej nesh, duke u investuar maksimalisht në eleminimin e mangësive, që kemi patur gjatë kampionatit, dhe shkrirjen e aftësive dhe cilësive të seicilit lojtar në shërbim të grupit.

Prej kohësh nuk keni shënuar. Ku e shihni arsyen dhe kur do të zhbllokoheni, pasi jeni sulmuesi kryesor i ekipit dhe prej jush pritet më shumë?!

– E thashë edhe më lart, personalisht jam i pakënaqur nga paraqitja që kam patur, pavarësisht përpjekjeve  që kam bërë, pa dashur të justifikohem, por besoj se në të ardhmn, do të jap maksimumin pë të mbërritur tek goli, duke filluar nga ndeshja e radhës.

Për pak ditë mbaron merkatoja, cilat janë prurjet dhe a synohen prurje të tjera futbollistësh?

– Kanë ardhur disa lojtar, janë dy të tillë nga Vllaznia si dhe disa të tjerë, por që mua s’më takon të flas për këtë pjesë. Por besoj se do ketë edhe afrime të tjera për ti shërbyer skuadrës.

Ju presin dy ndeshje të forta në fushën tuaj, fillimisht me Elbasanin e pastaj Korabin, çfarë mund të presim nga këto dy ndeshje.

– Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme për ne, apo si të themi finale, pasi luajmë me Elbasanin e vendit të pare. Por ne kemi treguar se me ekipet e forta dhe pretendente, kemi luajtur si të barabartë dhe në fushën tonë kemi ditur të dalim me rezultat pozitiv. Ndërsa sa i përket përballjes me Korabin dihet se  eshtë ndeshje  derbi dhe prestigji, dhe presim rezultat pozitiv. Jam i bindur se nga këto dy ndeshje, me grupin aktual që kemi dhe pëgatitjes që kemi bërë do të marrim pike të mira.

Mund të konsiderohet e parakohshme,  pasi ka dhe shumë ndeshje, por nisur nga rezultatet e deritanishme, si dhe kalendari që ka Burreli, si e parashikoni ecurinë e skuadrës dhe a do të mund ti shpëtoj rënjes nga kategoria, objektiv i vetëm që i ka mbetur tashmë?

– Pavarësisht gjendjes ku ndodhemi, kemi dhe 5 ndeshje për të mbyllur fazën e dytë, si dhe komplet ndeshjet e fazës së tretë. Objektivi është, që të ngjitemi sa më lart në klasifikim dhe qëndrimi në kategori as që duhet diskutuar. Gjendja aktuale është momentale dhe ndeshjet do ti marrim një e nga një dhe të ngjitemi gradualisht, për të mbërrritur në mesin e “artë” të tabelës. Por duhet të jemi të kujdesshëm e të ecim me këmbë në tokë, pasi në pjesën e mbetur të kampionatit ndeshjet mund të luhen edhe jashtë fushës së blertë dhe jo gjithçka  mund të varet nga djersa e derdhur në fushë. Pavarësisht kësaj Burreli, as që e ven në dikutim qëndrimin në këtë kategori dhe synon të ngjitet në rënditje, do të luajë ndeshmërisht,   dhe do të jetë një kockë e fortë për të gjithë ekipet.

Faleminderit për intervistën dhe suksese ekipit të Burrelit.

– Faleminderit ju, që i keni qëndruar pranë ekipit të Burrelit prej vitesh.

* Martin Dedaj-Gazetar dhe komentator sportiv

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img