Saturday, July 27, 2024

Prag Vllaznia-Egnatia, gjysmëfinalja “Final 4”. Kapiteni kuqeblu Bekim Balaj: “Egnatian e kemi mundur tri herë, do ta bëjmë sërish, gjithçka për trofeun”

Lexo

Kapiteni i Vllaznisë, Bekim Balaj është i mendimit se kuqeblutë i kanë të gjitha mundësitë për të qenë në finalen e kampionatit. Ai ka vlerësuar kundërshtarin që me shumë meritë ka qenë skuadra që ka udhëhequr kampionatin. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Balaj kërkon nga të gjithë shokët e skuadrës që të japim maksimumin, ndërsa ka edhe një apel për tifozët.

Si e shihni shortin kundër Egnatias?

Shorti na vuri përballë Egnatias, një kundërshtar që e njohim mirë pasi jemi ndeshur dhe në Kupë kundër tyre. Kemi nga 3 fitore secila, nuk arritëm finalen e Kupës, por do të bëjmë çdo gjë për të arritur atë të kampionatit. Luajmë përballë skuadrës që ka udhëhequr me plot meritë kampionatin, por statistikat në 6 përballjet tregojmë se kemi qenë të barabartë me ta.

A dëshironit në gjysmëfinale këtë ekip, apo do preferonit Partizanin?

Realisht nuk është se kishim preferenca në short, pasi dy opsione ishin të dyja kanë bërë mirë gjatë këtij sezoni. Ne kemi potencialin të përballemi me të dyja denjësisht. Prandaj nuk kemi pasur asnjë preferencë

Mendoni se me një ekip të plotë do të arrini të jeni në finale?

Në ndeshjet e fundit ndoshta na kanë penalizuar pak dhe mungesat, por këto janë normale në një sezon të gjatë. Megjithatë, edhe ata që i kanë zëvendësuar kanë bërë në më të mirën e mundshme punën e tyre. Ata janë një armë më shumë për këto ndeshje. Të gjithë bashkë do të bëjmë çdo gjë për të arritur finalen.

Ku duhet që të korrigjoni që t’ia dilni me sukses këtë sfidë gjysmëfinale?

Nuk mund të them që ka hapësira shumë për korrigjim, po sigurisht është momenti që të gjithë të japim jo vetëm maksimumin, por dhe më shumë se aq për të arritur në finale.

Ku mendoni se duhet të bëni kujdes?

Është gjysmëfinale, jemi vetëm një ndeshje larg finales sigurisht që kujdesi dhe përqendrimi duhet të jenë maksimal. S’ka hapësira për gabime, pasi ne kemi vetëm një rezultat që na çon në finale që është vetëm fitorja. Do të bëjmë gjithçka për gjithçka.

Ju mungon goli prej disa ndeshjesh, mendoni se ka ardhur momenti që të ktheheni te golat dhe fitorja?

Mungesa e golit është një pjesë që si sulmues bën çdo gjë që të zgjasë sa më pak dhe kërkon gjithmonë që ndeshjen e radhës të arrish të shënosh. Të jem i sinqertë s’më shqetëson ky fakt, pasi kam dhënë dhe do të jap gjithmonë më të mirën time në shërbim të skuadrës. Po arrita të shënoj akoma edhe më mirë, po në momentin që jemi pak rëndësi ka kush shënon. E rëndësishme është të fitojmë e të dalim në finale.

Cila është thirrja juaj për tifozërinë kuqeblu?

Tifozët e Vllaznisë nuk kanë nevojë për ftesë, ata e kanë mbështetur dhe do e mbështesin gjithmonë Vllazninë, siç e kanë bërë dhe gjatë këtij sezoni. Jam i bindur që do të jenë të shumtë në numër në “Air Albania”. Mbështetja e tyre është jetike për ne. Të gjithë bashkë mund t’ia dalim.

Admir URUÇI

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img