Vllaznia-Laçi është ndeshja e parë që hap javën e 18-të të kategorisë Superiore. Sfida në fjalë luhet të premten duke filluar nga ora 18.00 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Në konferencën për shtyp të dhënë 24 orë përpara fillimit të kësaj ndeshje, trajneri i kuqebluve, Tomas Brdariç shprehet optimist për marrjen e një rezultati pozitiv, që për të është vetëm tre pikëshi. Ndër të tjera, ai bën të ditur se skuadra është e karikuar në maksimum dhe me shumë energji në vetvete, ndërkohë që shpreson se edhe terreni do të jetë i mirë dhe pa reshje shiu, pasi sipas tij prania e reshjeve në dy ndeshjet e mëparshme nuk ka qënë në favor të kuqebluve.
“Mendoj se kemi shumë energji për nesër. Jemi të përgatitur në maksimum për të marrë maksimumin ndaj Laçit. Tre ndeshjet e fundit kanë qenë të ngjeshura me terrene të vështira. Nesër luajmë në shtëpinë tonë, uroj të mos ketë shi në mënyrë që të bëjmë lojën tonë të zakonshme. Mungesën e Krymit do ta zëvendësojmë me një lojtar tjetër nga stoli. Të gjithë janë të gatshëm për këtë ndeshje, përfshirë edhe edhe ato që kanë firmosur pak ditë më parë. Laçi është një ekip serioz me trajner që ka shumë eksperiencë. Besoj se do të japim më të mirën, nesër do të jetë ndeshje shumë e forte, duhet të jemi shumë të përgatitur. Mendoj se jemi në vend komod dhe e kemi merituar. Duhet ë shkojmë përpara. E dimë se ç’duhet të bëjmë për të fituar, ne mund të fitojmë në këto kushte. Humbjet e fazës së parë me Laçin dhe Kukësin na ka mërzitur, por kemi mësuar nga gabimet dhe duam të fitojmë. Mungesa e golit në dy ndeshjet e fundit mund të them se është një proçes që të gjithë lojtarët në ekipin tonë duhet të bëjnë detyrat e veta. Për mua është e rëndësishme që jemi një ekip që punojmë me topin. Të gjithë jemi të bashkuar për të sulmuar. Është e rëndësishme se si do të jetë terreni. Do të shkojmë me të gjitha forcat tona në sulm, të shikojmë si do të shkojë loja, pastaj do të analizojmë takimin. Deri tek ndeshja, kemi një seancë tjetër stëvitore. Ku do të vendosim se çfarë do të bëjmë. Nesër do të përcaktojmë 11 lojtarë që do fillojnë nga minuta e parë, do të ketë një surprizë të madhe”, është shprehur tekniku kuqeblu, Tomas Brdariç gjatë konferëncës për shtyp të dhënë në pragndeshje.