Monday, April 29, 2024

Shorti i Vllaznisë, “Galloshja e Artë” dhe trofeu i vjedhur i Megi Docit!

Lexo

Nga Prof.dr. Xhevdet Zekaj-“Mjeshtër i Madh”

Natyrisht, pasi u hodh shorti, e shohim Vllazninë përsëri favorite për të shkuar në fazën e grupeve të Champions League. Duke pasur parasysh përgatitjet, merkaton dhe kujdesin e pafund të presidentit Lazër Matija, duke pasur parasysh organizimin në bashkëpunim edhe me bashkinë dhe presidentin e Vllaznisë së meshkujve, Alban Xhaferi, vajzat kuqeblu pretendojnë të shkojnë përsëri në grupe. Kështu do të vendosnin një rekord historik për të gjitha ekipet shqiptare në futboll, meshkuj e femra. Vajzat shkodrane kanë fituar gjithcka në rang kombëtar, 11 tituj kampioni radhazi, kupa e superkupa, si dhe thyen një tabu të madhe sezonin e kaluar, kur për herë të parë në histori luajtën në grupet eë Ligës së Kampionëve, përballë emrave të tillë sugjestionues si Chelsea, PSG dhe Real Madridi.

Një mision i vështirë, por i kalueshëm për të shkuar për herë të dytë radhazi në 16-she të Champions-it. Ne besojmë se vajzat kuqeblu do ta shkruajnë sërish historinë. Mund të shkruhet pa fund dhe me fjalë vetëm pozitive për Vllazninë e fermave, por po ndalemi edhe te cudia në kampionatin e fundit me të.

Edhe pose kaloi njëfarë kohe, organet e drejtësisë në sport duhet të ndalen seriozisht te fenomeni i vjedhjes së “Këpucës së Artë” në kampionatin e femrave. Nëse Megi Doci shënon në cdo ndeshje nga një, dy apo më shumë gola, kjo tregon vazhdimësi, persistencë prej golashënueseje, sulmuese “rrace”. Nëse i shënon gol edhe Real Madridit, mbi potencialin e saj nuk mund të ketë askush fije dyshimi. Në këtë pikë janë të gjithë të një mendjeje, se ajo është futbollistja dhe sulmuesja më e mirë në futbollin e femrave në Shqipëri.

Në kampionatin e fundit shqiptar, një futbolliste e Apolonisë u shpall fituese e “Këpucës së Artë” në mënyrën më të dyshimtë të mundshme. Ajo i shënoi mbi 50% të golave në 4 ndeshjet e fundit, a thua ra nga qielli e nuk kishte qenë këtu!!! Shënoi apo ia hapën portën, kjo është dilema që kërkon investigim dhe drejtësi, që “Këpuca e Artë” në kampionatin e femrave të humbasë vlerën, drejtësinë sportive, të mos quhet në vijim më mirë “Galloshja e Artë”.

Le të ndodhë cfarë të dojë, le të trukojnë trofeun e golshënueses më të mirë, por futbolli ynë i femrave ka një mbretëreshë. Ajo quhet Megi Doci, dominuese në të gjitha drejtimet si golashënuese, por jo vetëm. Për merita, drejtësi sportive dhe historinë e futbollit është mirë që t’i thuhet STOP këtij fenomeni.

Me tërë këto dyshime, mirë do të ishte që të anulohej, të mos kishte fitues “Këpuca e Artë” e kampionatit të kaluar. Kjo do të ishte më së pari drejtësi njerëzore, profesionale, institucionale. Nuk ka mundësi të shënosh 8 apo 9 gola në 4 ndeshjet e fundit, kur gjithë kampionatin mezi ke realizuar 10 gola. Kjo shkon përtej cdo logjike sportive, kërkon investigim të drejtësisë së FSHF-së.

Nuk kemi shkruar më herët për këtë fenomen, sepse pritëm të reagonte vetë Vllaznia si klub, ndoshta edhe Apolonia, por mbi të gjitha organet disiplinore të federatës. Vetë presidenti Armand Duka e ka treguar me vepra se është kundër futbollit “fake”, kundër trukimeve të cfarëdolloj qofshin, ndaj është në nderin e institucioneve që t’i godasin qysh në embrion kombinacione të tilla të padrejta. Haku duhet të shkojë tek i zoti, edhe trofeu i “Këpucës së Artë” tek ajo që e ka merituar realisht.

Vetë Anila Basha, si përgjegjëse nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së për futbollin e femrave, duhet ta vërë veten në pozicionin e Megi Docit, të provonte si do të ndihej po t’ia rrëmbenin trofeun nga duart me hile. Ajo, më së pari, si femra e parë pjesë e KE, duhet ta luftojë këtë fenomen, që ne po e quajmë “Galloshja e Artë”, në kampionatin kombëtar.

Mjaft me “hapjen e portës” në futbollin e femrave për të trukuar një trofe. Golashënuese nuk të bën numri i golave në 4 ndeshje pa impenjim të kundërshtarit, por vazhdimësia sezonale, performanca në të gjitha ndeshjet, ajo që ke arritur ndër vite në karrierë. Megi Doci nuk ka të ngjashme në futbollin shqiptar të femrave, ajo ka edhe përmasën ndërkombëtare, atë të fazës së grupeve të Champions League, ku i ka shënuar edhe Real Madridit.

Presidenti Duka e urren këtë fenomen, me institucionin që drejton e ka luftuar fort, e ka minimizuar maksimalisht trukimin e vlerave, së pari, pastaj edhe të trofeve të tillë si “Këpuca e Artë”. Ndaj, në emër të meritokracisë, të talentit sportiv, të karrierës së gjithsecilës në fushën e blertë, e mira do të ishte që të ndërhyhej edhe në këtë rast. Në të kundërt, precedenti negativ do të shërbejë për të tjera “shtigje” jo sportive e “fair-play” për të arritur te suksesi, cka është në fakt baltosje e futbollit të femrave në vendin tonë, i cili po rritet e masivizohjet me shpejtësi falë vëmendjes së FSHF-së.

Përfundimisht, i urojmë Vllaznisë ta kalojë me sukses raundin paraeliminator, me gola ose pa gola të Megi Docit! I urojmë të shkojë sërish në grupet e Ligës së Kampionëve, duke shërbyer si imazh, emblemë krenarie e dinjiiteti për krejt lëvizjen futbollistike shqiptare!

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img