Vllaznia në futboll për femra është gati për ballafaqimin e turit të dytë të “UEFA Women’s Champions League”. Pasi ka eleminuar në turin e parë kampionen e Sllovakisë, Spartak Myjava, skuadra kuqeblu e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka do të ndeshet në turin e dytë me kampionen e Ukrainës, Vorskla Kharkiv-2.
Sipas marrëveshjes në fjalë mes dy klubeve, për shkak të situatës së luftës në Ukrainë, të dyja ndeshjet do të luhen në stadiumin “Loro Boriçi: të Shkodrës. Sfida e parë do të jetë këtë të mërkurë në orën 18:00.
Për të kurorëzuar me sukses ndeshjet në fjalë, ku objektivi është kualifikimi në mes 32 skuadrave më të mira të Europës, Klubi i Futbollit të Femrave Vllaznia, këkron mbështetjen e tifozëve shkodranë. Dhe, këtë e ka bërë përmes një deklarate publike për mediat, në të cilën thuhet:
Të dashur tifozë të Vllaznisë!
Ju bëjmë me dije se ditën e mërkurë, datë 21 shtator ora 18:00 në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës do të luhet ndeshja e parë e fazës play-off të “UEFA Ëomen’s Champions League” në mes ekipit ukrainas Vorskla Kharkiv-2 dhe Vllaznisë tonë. Kjo e fundit ka nevojë për ndihmën tuaj sepse është shumë pranë arritjes historike, kalimit në fazën e grupeve të këtij kompeticioni shumë të rëndësishëm europian në futboll për femra. Në këto rrethana, vajzat tona presin mbështetjen tuaj në shkallët e stadiumit. Me përjashtim të tribunës qendrore ku çmimi i biletës është 500 lekë, në të gjitha tribunat e tjera hyrja do të jetë falas. Ftojmë të gjithë tifozët, në veçanti nxënësit e shkollave, fëmijëve e të gjithë ekipeve dhe Akademive në Shkodër, që të jenë në stadium për ta mbështetur Vllazninë në këtë ndeshje shumë të rëndësishme.
Eja edhe ti!
Vllaznia ka nevojë për ty!