“Telegraph” shkruan se gruaja u ngrit në detyrë, duke përfituar një rritje 30% të pagës, që shkonte deri në 160.000 frangash zvicerane në vit.
Të tjera akuza në frontin Gianni Infantino. Sipas së përditshmes angleze “Telegraph”, presidenti aktual i FIFA-s ka derdhur një shumë me 6 shifra për një punonjëse, me të cilën ka pasur një lidhje. Gjithçka ka ndodhur në kohën kur ai ishte sekretar i përgjithshëm i UEFA-s, në periudhën 2009-2016.
Femra në fjalë, sipas “Telegraph”, fillimisht kishte një pozicion administrativ në UEFA dhe gjatë raportit që presupozohet të ketë pasur me Infantino-n, është ngritur në detyrë. Ajo ka përfituar 30% rritje page (rreth 160 mijë franga zvicerane). Po ashtu, pas largimit nga UEFA, ajo ka marrë një financim për një MBA (Master Business Administration) me pagesë 45 mijë stërlina në vit, si dhe ndihmën e Infatino-s për të gjetur një punë të re.
UEFA e ka konfirmuar pagesën e shumës me 6 shifra: “Jemi në dijeni të akuzave dhe mund të konfirmojmë se personit të interesuar i është bërë një pagesë në momentin e ndërprerjes së raportit të punës, bashkë me financimin e takasave universitare për një MBA pranë një shkolle biznesi lokale. Kjo pagesë ishte konform rregullave të atëhershme në fuqi për personelin që largohej nga puna”.
Sipas burimeve të gazetës britanike, presidenti i atëhershëm i UEFA-s, Michel Platini, u përplas me Infantino-n. Vendimi final ishte për largimin e punonjëses nga puna. Arsyeja është se promovimi i saj kishte ngritur dyshimeve te kolegët, sepse kaloi nga një rol administrativ te një detyrë manaxheriale e rëndësishme.
Një zëdhënës i Infantino-s ka deklaruar se “presidenti mohon me forcë çdo akuzë”, duke i quajtur ato “false dhe dashakeqe”. Gjatë përplasjes së brendshme, Platini i ka thënë Infantino-s pak a shumë fjalinë: “Ose ikën ajo, ose ti”. Presidenti i FIFA-s është i martuar prej më shumë se 20 vitesh me Lina al-Ashkar. Së bashku kanë 4 fëmijë.


