Monday, April 29, 2024

Tefik Osmani: “Vlerësim maksimal Kukësit!” Drejtori sportiv i Vllaznisë e konsideron një nga ndeshjet më të vështira, pasi kundërshtari eleminoi Partizanin në Kupë, mundi Laçin në Kampionat duke ringjallur shpresat e mbijeteses, por kuqeblutë kërkojnë fitoren

Lexo

Për drejtorin sportiv të Vllaznisë, Tefik Osmani, ndeshja e së dielës për javën e 28-të të kategorisë Superiore, Kukësi-Vllaznia është një nga ndeshjet më të vështira që skuadra kuqeblu ka zhvilluar këto javët e fundit. Një gjë të tillë, Osmani e shprehu gjatë një lidhje direkte që pati me emisionin Studio Sport-RTSH Shkodra, të drejtuar nga gazetari sportiv Gaspër Marku.

“Është një nga ndeshjet tona më të vështira. Them kështu sepse Kukësi ka eleminuar Partizanin në Kupë, mundi javën e fundit për kampionat Laçin, ka  ringjallur shpresat për të qëndruar në kategori. Një gjë të tillë ia kemi bërë të ditur edhe skuadrës në analizën që kemi bërë, duke theksuar se kemi të bëjmë me një nga ndeshjet më të forta, ndaj duhet t’ia bëjmë hyzmetin si asnjë herë tjetër nga ndeshjet që kemi kaluar deri më tani.”, tha ndër të tjera, drejtori sportiv Tefik Osmani, ku përpos vlerësimit të kundërshtarit pohoi se kuqeblutë synojnë fitoren e radhës.

Në ecurinë shumë pozitive të Vllaznisë gjatë periudhës së fundit, ka pjesën e tij padyshim edhe drejtori sportiv, Tefik Osmani, por gjithësesi, suksesi ai e ndan me të gjithë kolegët, duke nisur nga trajneri Qatip Osmani, që për të është i pari që merr meritat kryesore, për të vijuar  më pas edhe tek i gjithë stafi, zëvendëstrajnerët Bashkim Livoreka dhe Ndriçim Shtubina, trajneri i portjerëve Ideal Lekiqi, përgatitësit atletikë Aurel Locaj dhe Fatjon Kadija, stafi mjekësor, fizioterapistët dhe deri tek punëtorët e fushës që kontribuojnë në shërbim të ekipit.

Natyrisht, që presidenca me në krye Alban Xhaferin ka meritën e tij të drejtpërdrejtë në arritjen e këtyre rezultateve, pasi sipas drejtorit Osmani ka qëndruar korrekt me pagesat, madje edhe me premio për rezultatet pozitive të ndeshjeve në vazhdimësi.

I pyetur, nëse ka ndonjë sekret në arritjen e këtyre rezultateve pozitive, kur nga një skuadër nga fundi i renditjes, arriti të jetë skuadra lidër e sezonit, e dyta në reditjen e kampionatit dhe gjysëmfinaliste e kupës, Tefik Osmani, përgjigjet shkurt:

“Të them të drejtën, tek parimet e mia të punës, disiplina është numër një, harmonia numër dy, stërvitja numër tre. Këto janë shumë të rëndësishme, dhe patjetër prapa janë edhe stafi, pagesat dhe rezultatet që do vijnë.”

Në vijim, duke folur për ecurinë e skuadrës, drejtori sportiv i kuqebluve që më herët ka qënë edhe ish futbollist me Vllazninë, ndalet edhe tek euforia, apo vetëkënaqësia, një sëmundje e vjetër për futbollin shkodran, të cilën po luftojnë fort ta mbajnë sa më larg.

“Kam pasur fatin të jem pjesë e Vllaznisë si futbollit, dhe të them të drejtën kam konstatuar si karakteristikë të kësaj skuadre vetëkënaqësinë. Sa herë që Vllaznia fitonte një apo dy ndeshje të rëndësishme, vinte momenti që nuk ishte e njëjta në vazhdimësi duke humbur, qoftë edhe kur kishte përballë një kundërshtar të niveli të dobët. Një gjë të tillë e kam konstatuar edhe kur më vonë isha kundërshtar i Vllaznisë, sepse e dinim që në mentalitetin e Vllaznisë ishte shpeshherë vetëkënaqësia. Kur kam marrë detyrën e drejtorit, e kam diskutuar jo vetem me stafin teknik të Vllaznisë, por edhe duke bërë biseda kokë më kokë me futbollistët. Në dhomën tonë të zhveshjes kemi nga tabelë ku shkruhet: Armiku numër një i joni është që të mos na hip vetja në qejf, dmth që skuadra të mos kënaqet asnjëherë me rezultatet pozitive, por të jemi me këmbë në tokë “, shprehet Tefik Osmani duke shprehur kënaqësinë që skuadra i është përgjigjur pozitivisht, duke qëndruar larg eurofisë dhe duke punuar me përkushtim e disiplinë për arritjen e rezultateve pozitive drejt objektivave madhorë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img