Që prej ditës së sotme, KF Shkodra është me president të ri. Ai është Agim Cani, një emër i njohur për sportin shkodran dhe më gjërë, kur kemi parasysh përvojën e tij shumë pozitive të bashkëpunimit me klubin e futbollit Ada, si dhe atë Juban Danja futboll femra, ku u shpall edhe fitues i Kupës së Shqipërisë.
Disa takime radhazi mes dyshes drejtuese të KF Shkodra, trajnerëve të njohur, Taip dhe Rudi Piraniqi dhe biznesmenit të soksesshëm Agim Cani duke u rrahur, diskutuar dhe analizuar pika dhe projekte shumë ambicione për të ardhmen e një klubi të suksesshëm, bënë që në fund të ketë shtrëngim duarsh dhe të nënshkruhet marrëveshja që Agim Cani të marrë drejtimin e presidences së KF Shkodra.
Nga sa bëhet e ditur prej të dy palëve, pikë së pari, përqëndrimi do të jetë kryesisht në ekipet e moshave për ndërtimin e një Akademie Futbolli mbi baza profesionale, futbollistët e së cilës do të kenë rastin të stërviten në kushte bashkëkohore të përafërta me akademitë e njohura, brenda dhe jashtë vendit.
Pikë së pari, presidenti i ri Agim Cani, vë në dispozicion të të gjitha ekipeve të KF Shkodra, që nga mosha U9 deri tek skuadra U19 dhe më tej, kompleksin e ri modern të futbollit të përuruar rreth dy muaj më herët nga FSHF, me dy fusha sintetike të parametrave Olimpikë dhe një tjetër e tillë me bar natyral, aty ku janë planifikuar të kryejnë seancat stërvitore ekipet e huaja të Kampionatit Europian U21.
Përpos terreneve sportive, që vlejnë shumë për kushtet problematike që ka Shkodra në këtë drejtim, së bashku me dy drejtuesit kryesorë teknikë të KF Shkodra, Taip dhe Rudi Piraniqi dhe stafin e tyre, garantojnë një trajnim professional dhe meritokraci për secilin sportist që do të jetë pjesë e këtij klubi.
Me këtë rast, presidenti i ri Agim Cani dhe dyshja teknike, Taip dhe Rudi Piraniqi i bëjnë thirrje çdo të riu, jo vetem të qytetit të Shkodrës, por në tërë territorin e Qarkut Shkodër, që të bëhen pjesë e KF Shkodra, pasi nuk do të zhgënjehen nga kushtet dhe trajtimi professional.
E gjitha kjo do të thotë, se gjithë ajo traditë pozitive që KF Shkodra ka në nxjerrjen e talenteve të futbollit, ku një një pjesë e madhe e futbollistëve të saj, janë pjesë e Superiores së Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë, ekipit kombëtar, si dhe në kampionate elite europiane dhe më gjërë, me riformatimin e klubit nën udhëheqjen e presidentit Agim Cani, sukseset e vazhdimësisë janë të garantuara.
(Video) Më gjërësisht, me idetë dhe projektet e presidentit të ri Agim Cani si dhe të kryetrajnerit Taip Piraniqi, mund të njiheni me prononcimet e vete protagonistëve, Piraniqi dhe Cani.
Gaspër MARKU-15 QERSHOR 2025