Saturday, October 12, 2024

(Video) Boks-Shkodrani, Kristian Jubani kualifikohet në gjysëmfinalet e Europianit të Sllovenisë për moshat. Sot dueli me gjermanin Aron Rakk

Lexo

Fitorja e dytë radhazi për Kristian Jubanin në Kampionatin Europian të boksit për moshat e reja që po zhvillohet në Slloveni, aty ku edhe një përfaqësi e ekipit kombëtar të Shqipërisë merr pjesë me tre boksierë të shoqëruar nga trajnerët Renato Kurti dhe Antonet Rrapushi.

Për t’u theksuar është paraqitja fantastike e boksierit shkodran, Kristian Jubani. Një boksier ky i talentuar 14 vjeçar, i cili është lindur dhe rritur në Irlandë, por që ka shprehur dëshirën për të boksuar për Shqipërinë.

Pas ndeshjes së parë, të cilën e kaloi me shumë sukses duke mundur me rezultatin e pastër, 5 me 0 kundërshtarin e tij të peshës deri në 40 kg, malazezin Nikola Rajçeviç, Kristian Jubani boksoi në turin e dytë. Këtë radhë, dueli në ringun e Sllovenisë ishte edhe më i fortë, pasi pati përballë kampionin e Sllovakisë, Marcus Martinik, një boksier ky i konsideruar nga më të mirët e perspektives për kombëtaren sllovake.

Por, talenti shkodran, dy herë kampion i moshave në Dublin, paraqiti sërishmi një formë jashtëzakonisht të mirë. Madje, sipas trajnerit të kombëtares, Renato Kurti ishte i papërmbajtshëm në ring, kur me goditjet e tij të pastra, nuk la asnjë diskutim për gjyqtarinë, e cila ashtu si edhe në ndeshjen e parë, votoi unanimisht pro Kristianit duke i dhënë atij fitoren e merituar me rezultatin 5 me 0.

Një fitore kjo që është historike për boksin shqiptar, pasi për herë të parë Shqipëria arrin të sigurojë medalje në këtë kategori moshe. Fjala është për medaljen e bonxtë që tashtë Kristiani e ka të siguruar, por dueli i radhës në gjysëmfinale përballë boksierit gjerman Aron Rakk, mund të sjellë surpriza të tjera nga talenti shkodran, duke kërkuar medaljen e artë apo edhe të argjendtë.

Ndërkohë, sa i përket dy boksierëve të tjerë në përfaqësuesen kuqezi, Antonio Hoxha i peshës 50 kg dhe Marsid Hoxha 75 kg që u ndeshen përballë rivalëve  moldav dhe spanjoll, ky i fundit për medalje, megjithë paraqitjen e tyre dinjitoze në ring, nuk arritën të dalin fitues, ku sipas trajnerit Kurti, pengesë u bë edhe gjykimi i njëanshëm në dëm të boksierëve shqiptarë!

(Video) Boksieri shkodran, Kristian Jubani, stërvitje përpara ndeshjes në Europianin e Sllovenisë të moshave.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img