Monday, April 29, 2024

(Video) Ditëlindja e 40-të e Hamdi Salihit! Një përvjetor i mbushur me kujtime dhe suksese pafund, si futbollist i Vllaznisë, Tiranës, Skënderbeut, për të vijuar me karrieren në Greqi, Austri, Amerikë, Kinë, Izrael, e më pas trajner pranë stafit të kombëtares kuqeblu

Lexo

Nga Gaspër MARKU

Edhe 100 të tjera Andush! Ky është urimi që gjatë ditës së sotme është përcjellë pambarim në drejtim të Hamdi Salihit për ditëlindjen e 40-të, nga komuniteti i qytetit të Shkodrës, Tiranës e Korçës, aty ku karriera e djaloshit të talentuar shkodran la gjurmë të pashlyeshme me klubet respektive të futbollit shqiptar.

Një karrierë brilante e Andushit, sepse kështu e thërrasin kolegët dhe miqtë e tij të afërt, që patjetër ka brenda edhe sukseset që ai arriti si titullar i kombëtares së Shqipërisë duke shënuar gola spektakolar dhe përcaktues për fatet kombëtares kuqezi.

Një kombëtare kjo, që nuk priti mirë të mbyllte karrierën në fushën e lojës si futbollist, ku falë vlerave që përçonte në fushë dhe jashtë saj në prizmin professional dhe qytetar, e “gradoi” menjëherë në stafin teknik të ekipit kombëtar kuqezi.

Kjo, sa i përket Shqipërisë, sepse jashtë vendit, emri i Hamdi Salihit figuron me po aq sukses edhe në Greqi, Austri, Amerikë, Kinë, Izrael etj, ku ai luajti dhe tundi rrjetat e portave kundërshtare si një “gjahtar” tipik i golave.

Përkushtimi individual, dhe trajneri Artan Bushati, “prodhojnë” Salihin e madh!

Ashtu si për çdo fëmijë që nis rrugën e bukur të sportit, familja është ajo që ka ndikimin e vet kryesor. Dhe, në këtë rast, për Hamdi Salihin, ishin dy vëllezërit e tij më të mëdhenj, Altini dhe Astriti që mbështetën në të gjitha aspektet të voglin e shtëpisë në pasionin që ai kishte për futbollin.

Fati e deshi që Andushi hapat e para me ekipet zinxhir të Vllaznisë t’i merrte nga trajneri i mirënjohur Artan Bushati, profesori që ndërroi jetë në moshë të re, por pas la një punë shumë të lavdërueshme, jo vetëm me prodhimin e shumë talenteve të futbollit të moshave, por në vazhdimësi edhe me ekipet e rritura, deri në kufijtë e teknikut të kombëtares U21.

I mbërritur në ekip, si një djalë i shëndetshëm, madje pak edhe mbi peshë, me përkushtimin e vetë Salihit, profesor Bushati, arriti ta formatojë Andushin, jo vetëm në parametrat optimal të aspektit fizik, por më së shumti si një sulmues tipik për Vllazninë e madhe.

Stacionet e Salihit…Vllaznia-Panionios-Tirana-Ried-Rapid-D.C. United-Jiangsu FC- Hapoel Akra- Hapoel Haifa-Skënderbeu-Wiener Neustadt

Fati e deshi që kalimi i Salihit në ekipin e parë të gjente aty një goleador të spikatur si Vioresin Sinani, bashkëpunim me të cilin ia rriti akoma më shumë vlerat si futbollist. Debutimi me uniformën e Vllaznisë së madhe regjistrohet në vitin 2002, aty ku luajti për 2 sezone. Me 30 gola të shënuar në 55 ndeshje të luajtura, bilanci i Salihit konsiderohet nga specialistët e futbollit si shumë pozitiv dhe garanci për vazhdimin e karrierës së tij sportive.

Largimi nga Vllaznia në vitin 2004 do të shoqërohej më pas me stacione të shumta, duke bërë që Salihi të prekte përvoja nga më të ndryshme. Stacionet janë të shumta, duke nisur nga Panionios në Greqi, kthimi në kampionatin shqiptar duke luajtur tek bardheblutë e Tiranës, zhvendosja në Austri në përbërje të skuadrave Ried fillimisht dhe më pas tek Rapid, më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me D.C. United, për t’u zhvendosur më pas edhe në Kinë me Jiangsu FC, në vijim edhe në Izrael, me Hapoel Akra dhe Hapoel Haifa, rikthim përsëri në futbollin shqiptar me Skënderbeun ku korri suksese edhe në Kupat e Europës dhe do ta mbyllte në Austri me Wiener Neustadt. Një paradë kjo, nga njëri qytet tek tjetri, nga njëri shtet tek tjetri, nga njëri kontinent tek tjetri, ku 280 rrjetat e tundura prej tij, nuk kanë nevojë për koment.

Kombëtarja …, nga fusha në pankinë!

Paralelisht me kontributet e tij në klubet përkatëse ku luajti, brenda dhe jashtë vendit, Hamdi Salihit i rrinte mirë dhe bukur veshur edhe uniforma e kombëtares së Shqipërisë, të cilën e ka veshur në mbi 50 herë duke tundur 11 herë rrjetën. Golat dhe mënyra e realizimit të tyre, janë nga ato më të thjeshtët deri tek ato që mbahen dhe do të mbahen mend gjatë nga tifozët, sidomos i veçantë mbetet goli i shënuar në Oslo kundër Norvegjisë më 6 tetor 2012 , ku Kombëtarja e Shqipërisë fitoj me rezultatin 1-0. Rrofeshatat dhe kthesat gërshërë në ecje e sipër janë një nga karakteristikat më të spikatura të Salihit që përfundonin në rrjetën kundërshtar, për të vijuar deri tek ato golat “tip Myler”, me pozicionin e duhur në zonën e rreptësisë, aty ku nuhatja e një “gjahtari” të vertetë, prodhonte golin.

Nga kombëtarja e fushës, edhe pse gjendja e dhe forma e tij sportive ishte e atillë  që mund të kontribuonte më tej në majë të sulmit kuqezi, drejtuesit e FSHF-së e panë të arsyeshme që përvoja e gjatë dhe e suksesshme, kombëtare dhe sidomos ndërkombëtare, janë garanci që Salihit tashmë të kompletuar në të gjitha aspektet, sportive, kulturore e qytetare t’i besohej stafi teknik i kombëtares së Shqipërisë. Një detyrë, të cilën ai po vazhdon ta kryejë në mënyrën më të mirë, mision me të cilin duket se do të bashkëjetojë gjatë për t’i shërbyer në kompleksitet futbollit shqiptar.

Familja sportive, Salihi-Kroqi!

Dhe, në mbyllje të këtij shkrimi në respekt dhe konsideratë të ditëlindjes së 40-të të ish futbollistit të mirënjohur dhe sot trajnerit po të tillë, Hamdi Salihi, diçka të shkurtër për jetën private, atë familjare që jo rastësisht lidhet edhe ajo me sportin. Fjala është tek njohja, lidhja dhe miqësia e dy familjeve sportive, Salihi-Kroqi, pasi Andushi, siç e thërrasin miqtë e tij në Shkodër e më gjërë, është dhëndërr në familjen Kroqi e njohur për traditat në fushën e volejbollit. Jo shumë larg, rreth tre vite më herët, Hamdi Salihi shfaqej në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës me bashkëshorten e tij, vajzën e ish volejbollistit të njohur Mark Kroqi, duke bërë tifo për Vllazninë, e cila shpallej kampione e Shqipërisë pas shumë e shumë vitesh. Një familje sportive, që patjetër që edhe dy fëmijët e tyre të vegjël, vajzë dhe djalë, patjetër që do të marrin drejtimin e sportit, por që mbetet për t’u parë, në futbollin e babait apo volejbollin e gjyshit.

(Video) Përmbledhje e golave të shënuar nga Hamdi Salihi në karrieren e tij sportive

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img