Tuesday, April 30, 2024

(Video) Henri Hysa i Teutës, fitues i etapës së dytë të Kupës “Agim Tafili. I dyti Kristel Sota i Apollonise dhe i treti Mateo Balaj i Vllaznisë

Lexo

Kupa “Agim Tafili”, aktivitet i organizuar nga Federata Shqiptare e Çiklizmit dhe Bashkia Shkodër me pjesëmarrjen e 20 çiklistëve nga ekipet më të mira të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, sot ka zhvilluar etapën e dytë.

Në fakt, itenerari i planifikuar më herët nga ana e gjyqtarisë ishte që pedalimi i çiklistëve të niste nga Shkodra në drejtim të Fishtës, më pas drejt Pukës për t’u kthyer në Gomsiqe dhe më pas destinacioni i finishit drejt Shkodrës. Por, për arsye të kushteve të rënduara atmosferike, për të ruajtur sigurinë e çiklistëve, gjyqtaria e drejtuar nga kryegjyqtari Arben Pinari në bashkëpunim me presidentin e FSHÇ-së, Skënder Anxhaku, vendosi që segmenti i maloreve të Pukës të shmangej nga pedalimi duke e zëvendësuar këtë aks rrugor me një xhiro më shumë përrreth Fushës së Zadrimës.

Ashtu si edhe në etapën e parë, lufta sportive mes çiklistëve pjesëmarrës ishte shumë e fortë, dhe për hirë të së vertetës, grupi i çiklistëve shkodranë, dhe kryesisht treshja, Bruno Kola, Mateo Balaj dhe Marçelino Kola, të drejtuar nga trajneri i tyre Leonat Kola kanë qënë protoganistët e kësaj etape duke kryesuar në më të shumtën e kilometrave.

Emocionet më të mëdha, si zakonisht janë në finish, ku për të dytën etapë me radhë, çiklistët kuqeblu nuk arrijnë të japin sprintin e fundit për ta finalizuar me vend të parë. Nëse në etapën e parë, Fushë Krujë-Tirana, finishin e fitoi çiklisti nga klubi Kastrioti i Ferizajt në Kosovë, Blerton Nuha duke lënë në vend të dytë shkodranin Bruno Kola, në finishin e sotëm një gjë të tilë e bëri çiklisti durrsak Henri Hysa, që iu shkëput treshes shkodrane, ku këtë radhë rezultatin më të mirë e mori Mateo Balaj duke u renditur i treti, pas fierakut Kristel Sota që u rendit në vendin e dytë. Ndërkohë, nga ai që pritej më shumë për ta fituar këtë etapë, kapiteni kuqeblu, Bruno Kola, nga sa mësohet në kilometrat e fundit të etapës biçikleta e tij ka pasur disa probleme teknike që nuk e lejuan të realizonte objektivin e fitimit të etapës.

(Video) Pamje nga nisja e etapës së dytë, Shkodër-Fishtë-Vau i Dejes e kthim si dhe finishi në lagjen Parrucë të të qytetit të Shkodrës. Në vijim edhe intervistat me fituesin e etapës, Henri Hysa të Teutës dhe Mateo Balajn e Vllaznisë që u rendit i treti në këtë etapë.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img