Finalja e FSHF Cup, Panthers Shkodër – Hidro Alfa 4-0
(Shënues: Albert Mila, Besfort Gjoklaj, Irlind Zaja, Valdano Nimani)
Formacioni i MFC Panthers: Fatos Behari, Ismirald Osmani, Brendon Smajli, Oltion Drabeja, Adi Mehja, Semir Gokaj, Albert Mila, Denis Çokaj, Besfort Gjoklaj(U aktivizuan: Fatjon Nutaj, Valdano Nimani, Irlind Zaja, Asar Bashi, Redi Osmanaga). Trajner: Fatmir Axhani. President: Ergin Axhani.
Kur mori përsipër angazhimin e tij në futbollin amator 9×9 në krye të ekipit MFC Panthers Shkodra, Ergin Axhani, kishte edhe një bast me veten, por edhe me opinionin sportiv, sidomos atë shkodran. Bazuar në traditen dhe elementin cilësor të atij grupi që kishte grumbulluar rreth vetes, Ergini, i cili fillimisht ishte edhe vetë titullar në fushën e lojës, por që më pas si rezultat i një dëmtimi që kishte rrugës vazhdoi ta mbështesë skuadrën nga pankina, besonte shumë fitimin e trofeut.
Autoritetin kësaj skuadre ia shton edhe më shumë edhe një emër shumë i njohur i futbollit shkodran, Fatmir Axhani, babai i Presidentit Ergin Axhani, i cili merr përsipër drejtimin e MFC Panthers. Kështu, që të dy së bashku, babë dhe djalë, duke pasur në dispozicion djemtë e talentuar që kanë në skuadër, marrin përsipër vazhdimësinë pozitive të MFC Panthers Shkodra.
Paraqitje fantastike në ndeshjet e kampionatit duke qënë një pretendent shumë dinjitoz për fitimin e titullit kampion, i cili fatkeqësisht, për faktorë të ndryshëm, pse jo edhe nga arbitrimi, nuk u arrit. Por, megjithatë, MFC Panthers Shkodra nuk dorëzohet dhe lufton fort për të fituar trofeun tjetër, i dyti për nga rëndësia e këtij sezoni, FSHF Cup.
Një finale kjo e dominuar tërësisht nga djemtë shkodranë, të cilët dhurojnë spektakël në fushën e lojës. Si rezultat i presionit në fushën kundërshtare, vijnë edhe golat për MFC Panthers Shkodra, njëri më i bukur se tjetri.
Në përfundim të ndeshjes u zhvillua edhe ceremonia e mbylljes së aktivitetit ku Drejtori i Futbollit Amator në FSHF, Jurgen Demneri dhe specialisti i këtij sektori, Igli Mumajesi, i dorëzuan kapitenit shkodran, Semir Gogaj trofeun dhe medaljet përkatëse FSHF Cup.
(Video) Pamje nga ndeshja finale e FSHF Cup, MFC Panthers Shkodra-Hidro Alfa 4-0 dhe ceremonia e mbylljes).
Gaspër MARKU