Sunday, July 20, 2025

(Video) Miqësorja historike mes dy Vllaznive, Shkodër-Milano. Nis një erë e re bashkëpunimi mes dy presidentëve, Alban Xhaferi-Benard Gjekaj

Lexo

Vllaznia(Shkodër)-Vllaznia Elite(Milano) Itali, 3-0(Shënues: Ildi Gruda, Esat Mala, Ensar Tafili)

Vllaznia: Qarri, Gurishta, Jazxhi, Bajrami, Kuro, Yago, Krymi, Qato, Mala, Gruda, Balaj(C).(U aktivizuan: Jukaj, Bunjaj, Repaj, Kruja, Pusi, Tafili, Delaj, Ara, Dodaj, Mensah). Trajner: Edi Martini

Vllaznia Elite(Milano) Itali:  Nxhie, Jervolino, Inverniçi, Bertola, Pjetri, Jarju, Donald Palaj(C), Çesai, Mane, Dervishi, Boraçino(U aktivizuan: Denis Palaj, Molla, Mansur, Danila). Trajner: Emilian Domi, Moreno Asaneli

Gjyqtarë: Eldorian Hamiti, Jetmir Podgorica, Arlind Kastrati. I katërt: Xhovan Kasneci

 Një kronikë, e shoqëruar me intervisten e presidentit Benard Gjekaj, dhënë kohë më parë për Veriu Sport, informoi publikun shkodran dhe më gjërë për formimin e klubit Vllaznia Elite në Milano, atje ku ish futbollisti shkodran Gjekaj dhe kolegë të tij nga Shkodra dhe Shqipëria, preferuan të emërtojnë me emrin e skuadrës së zemrës së qytetit të tyre.

Nuk vonoi dhe vendosja e kontakteve mes dy presidentëve Gjekaj-Xhaferi, nisi konkretizimin e një bashkëpunimi të mundshëm mes dy klubeve, duke mbërritur tek kjo miqësore e luajtur mbrëmjen e së shtunës së stadiumin “Loro Boriçi”.

Një miqësore, luajtja e së cilës entuziasmoi jasht mase presidentin Benard Gjekaj, por edhe bashkëqytetarët e tij, Jurgen Kojashi  dhe Erdis Dibra, kolegët e tij më të afërt të stafit drejtues të Vllaznia Elite.

Emocionet e kësaj miqësore u ndjenë jo pak edhe në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”. Aty ku, krahas tifozëve besnikë të përjetshëm të Vllaznisë së Shkodrës, spikatnin edhe ato të Vllaznisë Elite, shumë mprej tyre të ardhur posaçërisht nga Milano, por edhe shumë të tjerë familjarë të Vllaznisë Elite, mes të cilëve ishte edhe Lazër Gjekaj, babai i presidentit Benard Gjekaj, një tifoz dhe pasionant i kahershëm i Vllaznisë, që tashmë emocionet e tij ishin për një Vllazni tjetër, atë Elite-Milano që drejtohet prej djalit të tij.

Po, të njëjtat emocione përjetonte edhe kolegu im Edmond Dibra, i cili teksa komentonim së bashku drejtpërdrejt ndeshjen në fjalë për Veriu Sport, risillnim në vemendje edhe djalin e tij, Erdin Dibra, ish arbitrin e njohur të futbollit të kolegjumit të Shkodrës dhe të Shqipërisë, i cili prej disa vitesh është zhvendosur në Itali, dhe aktualisht mban postin shumë të rëndësishëm të sekretarit të përgjithshëm të klubit Vllaznia Elite-Milano.

Ndërkohë, në tribunën VIP të “Loro Boriçit” spikatnin dy presidentët, Alban Xhaferi dhe Benard Gjekaj, të cilët pas shkëmbimit të dhuratave simbolike, projektonin vazhdimësinë e këtij bashkëpunimi të sapo nisur mes dy Vllaznive.

Ndeshja

Për djemtë kuqeblu të drejtuar nga trajneri Edi Martini, kjo miqësore ishte testi i parë pas një periudhe 12 ditore përgatitore, ndëkohë që për kuqeblutë modestë të Milanos me presidentin e tyre, Benard Gjekaj, kjo ishte një mbrëmje historike. Kjo, pasi realizuan një ëndërr të tyre për të luajtur në stadiumin “Loro Boriçi” përballë një emri të madh si Vllaznia, 9 herë kampione e Shqipërisë dhe nënkampione e sezonit të kaluar futbollistik.

Referuar ecurisë së takimit, deri reth minutës së 30-të,  loja pati një farë barazpeshe, ndërkohë që më pas erdhen dy golat kuqeblu me autor Grudën dhe Malen, të cilët u ndihmuan edhe nga gabimet e mbrojtes milaneze.

Pjesa e parë, mund të mbyllej 3 me 0 për Vllazninë, por penalltinë e akorduar nga ndërkombëtari Erdorian Hamiti, i cili gjykoiu ndeshjen me koleget e tij shkodranë Podgorica dhe Kastrati, e shpërdoroi kapiteni Bekim Balaj duke e përplasur topin në shtyllën horizontale të portës kundërshtare mbrojtur nga portjeri Nxhije.

Në 45 minutat e dyta, trajneri Edi Martini hodhi në fushë një formacion tjetër, prej të cilit erdhi edhe goli i tretë me autor Ersar Tafilin duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllej me avantazhin e Vllaznisë 3-0.

(Video) Një panoramë më të plotë rreth miqësores dhe emocioneve që përcolli ajo, sidomos për kampin e Vllanzisë Elite-Milano, sjellin intervistat e marra pas ndeshjes me trajnerin e Vllaznisë Edi Martini, presidentin e Vllaznia Elite Bernard Gjekaj, trajnerin e Vllanzia Elite, Emilian Domi dhe sekretarin e përgjithëshëm të Vllaznia Elite, ish gjyqtarin e futbollit Erdis Dibra, përfshirë edhe pamjet e ndeshjes së plotë, Vllaznia-Vllaznia Elite, 3-0.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img