Monday, April 29, 2024

(Video) Nesër, ora 17:00, Vllaznia-Skënderbeu. Trajneri Qatip Osmani, kërkon pikët e plota për festat e fundvitit

Lexo

Ndeshja e fundit e vitit 2023 për ekipin e Vllaznisë është ajo që do të luhet pasditen e së premtes në stadiumin “Loro Boriçi”. Në prononcimin e dhënë një ditë përpara ndeshjes, trajneri kuqeblu, Qatip Osmani, e vlerësoi duelin në fjalë si një ndeshje shumë të rëndësishme. Teksa analizon situatën në kampin kuqeblu, por edhe të kundërshtarit, shqiptari nga Tetova shprehet entuziast për marrjen e pikëve të plota në këtë ndeshje si një dhuratë tër tifozërinë në prag të festive të fundvitit.

“Një atmosfere ndryshe në skuadër pas rezultateve të fundit dhe kjo gjë konstatohet lehtësisht. Megjithatë duhet të bëjmë kujdes sepse nesër kemi përballë një kundërshtar me djem te rinj dhe që luan bukur futboll.

Nuk duhet ta nënvlerësojmë kurrsesi Skënderbeun dhe as të kalojmë në eufori sepse në fund të fundit nuk kemi bërë asgjë më shumë sesa detyrën. Të futemi në fushë për të bërë më të mirën dhe ta synojmë fort fitoren për ta mbyllur si duhet këtë vit.”, tha fillimisht për gazetarët shkodranë, njëshi i pankinës kuqeblu, Qatip Osmani.

Ajo që e mundon Osmanin në këtë sfidë, është mungesa e dy mbrojtësve të krahut, dy titullarëve me peshë të skuadrës kuqeblu, Hakaj dhe Smajli. “Kemi dy mungesa të rëndësishme siç janë Hakaj dhe Smajli, por do të mundohemi t’i zëvendësojmë me lojtarët e tjerë.”, tha tekniku Osmani.

Në opinionin sportiv kanë nisur të lakohen emrat e parë të merkatos së janarit kuqeblu, por sipas Osmanit, nuk ka asgjë konkrete deri tani”.

Dy fitoret radhazi me Dinamon dhe Tiranën e kanë rritur shumë moralin e skuadrës, dhe në të njëjtën kohë edhe morali është rritur edhe tek tifozëria kuqeblu, e cila pritet të jetë e madhe në numër.

Falë edhe vendimit të presidentit të kuqebluve, Alban Xhaferi, që të ardhurat e biletave të kësaj ndeshje shkojnë në ndihmë të Shtëpisë së Moshuarve dhe Shtëpisë së Fëmijëve Shkodër, tifozët shkodranë kanë edhe një obligim më shumë për të qënë të pranishëm në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”.

Sfida, Vllaznia-Skënderbeu, e vlefshme për javën e 18-të të Abissnet Superiore, luhet në orën e 17:00 të së premtes.

(Video) Prononcimin e plotë në video të trajnerit Qatip Osmani për pragndeshjen, Vllaznia-Skënderbeu, mund ta ndiqni në kamalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img