Federata Shqiptare e Futbollit ka prezantuar zyrtarisht Bernardino González Vázquez si Drejtorin e ri të Departamentit të Arbitrimit. Ceremonia u zhvillua me pjesëmarrjen e Zv.Presidentit të FSHF-së, Geri Çipi, dhe Kryetarit të Bashkimit të Arbitrave Shqiptarë të Futbollit, Tahir Kastrati.
Emërimi i González Vázquez shënon një hap të ri në drejtim të forcimit dhe zhvillimit të mëtejshëm të arbitrimit shqiptar, duke sjellë në strukturat e FSHF-së një eksperiencë të gjatë në nivelet më të larta të arbitrimit spanjoll dhe europian.
Duke prezantuar drejtorin e ri, Zv.Presidenti i FSHF-së, Geri Çipi, theksoi rëndësinë e arbitrimit për cilësinë dhe zhvillimin e futbollit shqiptar.
“Arbitrimi është një nga shtyllat më të rëndësishme të futbollit. Një kampionat cilësor kërkon jo vetëm lojtarë dhe trajnerë të mirë, por edhe arbitra të përgatitur, të pavarur, profesionalë dhe të aftë për të përballuar presionin e niveleve të larta të konkurrimit.”
Çipi nënvizoi eksperiencën e gjerë të González Vázquez, i cili ka qenë arbitër i La Liga-s në Spanjë, arbitër ndërkombëtar FIFA dhe ka drejtuar ndeshje të rëndësishme në kompeticionet europiane, ndërsa ndër arritjet e tij spikat edhe drejtimi i finales së Kampionatit Europian U-17 në vitin 2005.
Ai vlerësoi gjithashtu eksperiencën e tij në drejtimin dhe zhvillimin e arbitrimit pas përfundimit të karrierës në fushën e lojës.
“Kjo eksperiencë është pikërisht ajo që ne kërkojmë të sjellim në një fazë të re të zhvillimit të arbitrimit shqiptar. Jemi të bindur se eksperienca e tij, së bashku me energjinë dhe profesionalizmin e arbitrave shqiptarë, do të na ndihmojë të bëjmë një hap të rëndësishëm përpara”, – u shpreh Zv.Presidenti i FSHF-së.
Në fjalën e tij, Kryetari i Bashkimit të Arbitrave Shqiptarë të Futbollit, Tahir Kastrati, e cilësoi emërimin e González Vázquez si një zgjedhje që synon rritjen e mëtejshme të performancës dhe cilësisë së arbitrimit në Shqipëri.
“Kjo zgjedhje është bërë nga FSHF në mënyrën që të ndikojë maksimalisht në një hop akoma më cilësor në rritjen e performancës së arbitrimit. González Vázquez ka një përvojë të gjatë si arbitër në fushën e lojës dhe më pas si drejtues në strukturat e larta në La Liga dhe FIFA. Besojmë që prezenca dhe përvoja e tij do të ndikojë në rritjen akoma më cilësore të arbitrave në Shqipëri.”
Kastrati theksoi edhe rëndësinë e bashkëpunimit mes BASHF dhe Departamentit të Arbitrimit pranë FSHF-së, duke nënvizuar se kjo marrëdhënie do të jetë një element i rëndësishëm për zhvillimin e arbitrimit.
Ai bëri të ditur se González Vázquez, përveç detyrës si Drejtor i Departamentit të Arbitrimit, do të ketë një rol të rëndësishëm në drejtimin e Komitetit të Arbitrimit, ku përfshihen Komisioni i Caktimit, Komisioni i Vlerësimit dhe Komisioni i Vëzhgimit.
Në fjalën e tij të parë si Drejtor i Departamentit të Arbitrimit në FSHF, Bernardino González Vázquez falënderoi Presidentin e FSHF-së, Armand Duka, dhe shefin e Arbitrimit në UEFA, Roberto Rosetti, për besimin dhe mbështetjen.
“Nuk jam këtu për të folur për veten, sepse besoj se kjo nuk është gjëja më e rëndësishme. Jam këtu për të sjellë eksperiencën time në arbitrim.”
González Vázquez e cilësoi detyrën e re një sfidë të madhe, të cilën e ka pranuar me shumë dëshirë dhe entuziazëm, ndërsa theksoi se një prej arsyeve që e shtynë të pranonte këtë rol ishte edhe vlerësimi pozitiv që kishte dëgjuar për FSHF-në.
Drejtori i ri i Arbitrimit vuri në dukje potencialin që ekziston në Shqipëri dhe prezantoi filozofinë e tij të punës:
“Ka shumë talent në Shqipëri. Propozimi im është i thjeshtë: të përdor eksperiencën time për t’i ndihmuar arbitrat çdo ditë.”
Duke iu drejtuar arbitrave shqiptarë, González Vázquez theksoi se puna dhe zhvillimi i vazhdueshëm do të jenë në qendër të misionit të tij.
“Çelësi në arbitrim, por edhe në jetë, është puna. Në Spanjë kemi një shprehje: sa më shumë të punosh, aq më me fat je. Mesazhi im për arbitrat shqiptarë është shumë i thjeshtë: unë do të jem njëri prej jush dhe do të bëj më të mirën që ju të rriteni, të përmirësoheni dhe të zhvilloheni.”
Në fund, González Vázquez përcolli edhe një mesazh për median dhe komunitetin e futbollit, duke kërkuar që gabimet njerëzore të arbitrave të trajtohen me përgjegjësi dhe në mënyrë konstruktive.
“Arbitrat bëjnë gabime. Kanë bërë gjithmonë dhe do të vazhdojnë të bëjnë, sepse janë njerëz. Nuk ka pse të shkatërrohet një arbitër për një gabim.”
Ai theksoi se futbolli duhet të jetë një shembull pozitiv për brezat e rinj dhe se lojtarët, trajnerët dhe arbitrat kanë një përgjegjësi të përbashkët për të përcjellë vlerat e sportit në shoqëri.
“Mund t’ju premtoj dy gjëra: do të punoj fort dhe do të jap gjithçka për të krijuar besueshmëri. Jam shumë i kënaqur që jam këtu.”


