Në FSHF TV u transmetua emisioni i 31-të i “Në Shtëpinë e Futbollit”, me fokus te Kombëtarja shqiptare, faza “Final Four” e “Abissnet Superiore” dhe Kampionati Europian i Socca-s që po zhvillohet në Shqipëri.
Nën moderimin e Lenida Halilaj, të ftuar në studio ishin gazetari sportiv Alban Xhihani dhe specialisti i Departamentit PR dhe FSHF TV, Renaldo Sinani.
Pjesa kryesore e emisionit iu dedikua zyrtarizimit të trajnerit të ri të Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, si dhe mbylljes së ciklit të trajnerit Silvinjo në krye të kuqezinjve. Në studio u analizuan deklaratat e Presidentit të FSHF-së, Armand Duka, dhe trajnerit Maran në konferencën zyrtare për media, ku u shpalosën edhe objektivat e ekipit Kombëtar për periudhën e ardhshme, me synimin për të siguruar vendin e parë në UEFA Nations League dhe kualifikimin në Euro 2028.
Vëmendje të veçantë mori edhe “Final Four” i “Abissnet Superiore”, pas fitoreve të Dinamo City dhe Vllaznisë në ndeshjet e para gjysmëfinale. Të ftuarit diskutuan mbi formën e skuadrave, shanset për fitimin e titullit kampion dhe duelet e fundjavës, Vllaznia – Egnatia dhe AF Elbasani – Dinamo City.
Në pjesën e fundit të emisionit u diskutua edhe për Kampionatin Europian të Socca-s, që organizohet në Shqipëri. Në një lidhje live, organizatori i eventit, Jurgen Demneri, dha detaje mbi zhvillimin e turneut, atmosferën në “Shtëpinë e Futbollit” dhe ceremoninë zyrtare të hapjes që do të mbahet në mbrëmje.


