Monday, April 29, 2024

(Video) Volej Femra/Vllaznia-Barleti 3 me 0. Skuadra e drejtuar nga Nora Deda jep sinjale pozitive për vazhdimësinë

Lexo

Vllaznia-Barleti 3-0

(25-10, 25-23, 26-24)

 Vllaznia: Xhesika Kaçi, Paola Gjyshja, Stela Agolli, Mandisa Kuçi, Edna Erkoçi, Sarah Beci, Liridona Kodra, Elira Rukaj, Marjana Ndou, Klodeta Zhivani(C), Gentjana Kodra. Trajner: Nora Deda, Ardian Dodani

Barleti: Marije Danaj, Kristela Capo, Klea Kodra, Tea Metani, Lorgeta Avdyli, Esmeralda Tuci(C), Bejona Nenaj, Halkla Lena, Desjona Filaj, Xhenifer Pira, Mikaela Koleci, Elsa Disha. Treajner: Altin Gorenxa, Junida Pogoni

Gjyqtarë: Endri Zguri, Eni Zenullari   

Pasditja e së premtes ka rezervuar dy ndeshje volejbolli radhazi, njëra pas tjetres të zhvilluara në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës. Duke qënë se javën e kaluar kalendari i  Kampionatit Kombëtar e kishte vendosur Vllazninë të luante në transfertën korçare, ndeshjet e mbrëmjes së premte ishin të parat e këtij sezoni që volejbollistët shkodrane zhvillonin në praninë e tifozërisë shkodrane.

Vllaznia dhe Barleti, ishin dy skuadrat e para të volejbollit femra që u ballafaquan në fushën  e lojës. Në një ndeshje që nisi vrullshëm për skuadrën shkodrane, e cila e drejtuar nga trajnerja Nora Deda krijoi menjëherë dominimin e plotë në fushën e lojës.

Një ansambël që funksiunoi mjaft mirë, duke filluar nga mbrojta, dhe për të vazhduar tek sulmi dhe finalizimi i aksioneve me sukses. 25 me 10 në favor të Vllaznisë mbyllet seti i parë në favor të Vllaznisë, ku krahas kapitenes Zhivani, Becit dhe Erkoçit që mbajnë peshën kryesore të lojës, për t’u theksuar janë disa shërbime radhazi të suksesshme të ekzekutuara nga Stela Agolli, duke bërë që seti i pare të fitohej me lehtësi.

Me këtë epërsi të dukshme te vajzave kuqeblu u krijua përshtypja se edhe dy setet e tjera do të ishin me këtë dominim për ta mbyllur shpejt dhe pa histori këtë ndeshje.

Por, nuk mendon kështu kampi kundërshtar i Barlet Volej. Në pushim mes dy pjesëve, krahas trajnerit Altin Gorenxa, në fushë është shfaqur edhe shefi i klubit Artan Pogoni, i cili ka shkundur volejbollistet kryeqytetase, të cila nuk vonojnë dhe i bëjnë një kthesë të fuqishme lojës së tyre.

Madje, Barleti arrin të krijojë edhe epërsi duke kryesuar me meritë për një pjesë të mirë të këtij seti. Por, ndërhyrjet e trajneres Nora Deda me dy pushimet e marra radhazi, bëjnë që Vllaznia të barazojë dhe në fund me jo pak vështirësi ta fitojë setin e dytë me shifrat 25 me 23.

Rivalitet, luftë e fortë sportive, emocione dhe dramacitet, kishte padyshim edhe seti i tretë, ku përsëri meritë ka edhe skuadra kundërshtare, Barleti që lufton shumë për të marrë një set me shpresë që të rihapë ndeshjen.

Barazimi 24 me 24 është treguesi real i atyre emociomeve dhe dramacitetit që shoqëroi këtë set. Më së fundmi, dy pikët e fundit në kohën shtesë të shënuara nga lojtaret shkodrane bëjnë që seti i tretë të mbyllet me shifrat shtesë, 26-24.

Kësisoj, me rezultatin 3 me 0, Vllaznia del fituese me meritë e kësaj ndeshje, e para në dy javë kampionat duke forcuar besimin dhe entuziasmin në gjirin e skuadrës për të ecur me këtë ritëm edhe në ndeshjet e tjera në vazhdim.

(Video) Pamje nga ndeshja, Vllaznia-Barleti volej femra, e mbyllur me fitoren e Vllaznisë 3-0.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img