Ekipi i volejbollit për meshkuj i Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës ishte pjesëmarrës në Lojrat Universitare të zhvilluara në Antëerp, Belgjikë.

Studentët-volejbollistë:
Gersi Jula, Gilman Talani, Sead Durro, Arjan Hotaj, Sidorel Pepaj, Enid Doniku, Dyljon Sinanaj, të drejtuar nga trajnerët-pedagogë të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Artan Kalaja dhe Fatjon Nurja,
të mbështetur nga Rektorati i UNISHK, janë bërë pjesë e një prej eventeve më të rëndësishme universitare shumë-sportëshe në nivel ndërkombëtar, 27th PCU University Games.
I startuar me datë 22 prill dhe i mbyllur mbrëmjen e sotme të 24 prillit, volejbollistët universitarë të Shkodrës bënë një përformancë shumë të mirë në ballafaqimet me homologët e tyre europianë.
Nga pesë ndeshje që zhvilloi ekipi i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, arriti të fitoj katër ndeshje, ndërkohë që e vetmja humbje që e privoi nga fitimi i trofeut të titullit kampion, erdhi si pasojë edhe e një gjykimi jo korrekt nga arbitrat vendas, të cilët u kudesën që vendi i parë të shkonte për ekipin e Universitetit vendas të Belgjikës.
Gjithësesi, në mbyllje, ekipi i volejbollit i UNISHK përfaqësoi me dinjitet Universitetin “Luigj Gurakuqi” duke u ngjitur në podium mes tre më të mirëve në mes 16 ekipeve pjesëmarrëse, në një kompeticion prestigjioz i organizuar në frymën e vlerave olimpike – Fair Play.
Një aktivitet ky, ku motoja kryesore ishte miqësia universale dhe shkëmbimi ndërkulturor që bashkon studentë nga e gjithë bota në një eksperiencë unike sportive dhe akademike.
(Video) Pamje nga ceremonia e mbylljes së Lojrave Universitare të Belgjikës, ku ekipi i Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër nderohet me medaljet e bronzta.
Gaspër MARKU


