Monday, April 29, 2024

Videoanalisti Xhoen Tugu, e mbyll me Vllazninë. Mesazh emocionues dhe mirënjohës për kuqeblutë. Destinacioni, Spanjë për studime!

Lexo

Në stafin kuqeblu ka ndryshime. Bëhet fjalë për pozicionin e videoanalistit të KF Vllaznia, Xhoen Tugu. Një lëvizje kjo e detyruar për arsye të largimit të Tugut me studime jashtë vendit duke u zëvendësuar nga një emër i njohur i futbollit shkodran, Ergi Borshi, ish futbollist dhe së fundmi zv.trajner tek Vllaznia U-21.

Lajmi bëhet i ditur zyrtarisht nga KF Vllanzia, i cili në njoftimin e publikuar, shkruan:

“KF Vllaznia dëshiron të falenderojë Xhoen Tugun për kontributin e tij të dhënë prej një viti në klubin tonë në rolin e videonalistit, ndërkohë që ai tashmë do të largohet drejt Spanjës për studime. Po ashtu, bëjmë të ditur se vendin e tij në këtë pozicion pranë ekipit të parë do ta zërë Ergi Borshi. Nga ana tjetër, do të jetë Fation Kadija ai që përpos detyrës së përgatitësit atletik të ekipeve U19, U17 dhe U15 të Akademisë, tashmë do të kryejë edhe atë të ndihmëstrajnerit tek ekipi U21.”

Për atë që nuk kanë njohur prej së afërmi Xhoenin, mund të themi se ai është një ndër ato djemtë e rinj shkodran, që edhe pse jetonte në Tiranë, zemra i rrihte “non stop” për Shkodrën dhe Vllazninë.

Pjesë e traditës së familjes së mirënjohur shkodrane, “Domnori”, dashninë për këtë qytet e ka të ushqyer në gjak nga e ëma, gazetarja dhe publicistja e njohur Arlinda Çausholli, ajo që vazhdimisht shfaqet si tifoze dhe pasionante e thekur e Vllaznisë.

Falë vlerave kulturore dhe profesionale të përvetësuara në Universitetin e Sporteve, Xhoen Tugu, menjëherë pas përfundimit të studimeve dhe trajnimeve profesionale për rolin e videoanalistit do të bëhej pjesë e kuqebluve, klubit më të madh dhe më të vjetër në Shqipëri. Detyrë, të cilën ai kreu në mënyrën më të mirë. Dhe, jo vetem atë, pasi falë zotërimit të disa gjuhëve të huaja, për sa ishte pjesë e Vllaznisë kreu më së miri edhe detyrën e përkthyesit duke ndihmuar stafin si dhe futbollistë të ndryshëm të huaj në komunikimin me mediat.

Më herët se të mbërrinte në Shkodër, ai ka spikatur në sa e sa studio televizive sportive të kryeqytetit si një analist i mirëfilltë i futbollit dhe sportit në përgjithësi, jo vetëm atij kombëtar, por edhe kampionateve europiane dhe botërore.

Pa harruar, se falë shtatlartësisë së tij të admirueshme Xhoen Tugu, ishte pjesë e rëndësishme edhe e sportit të basketbollit. Me një karrierë të suksesshme në ekipet e kryeqytetit dhe kombëtaren e moshave, për të mbërritur në majin e vitit 2017-të kur ai shpallet kampion kombëtar me ekipin e Vllaznisë së Shkodrës nën drejtimin e trajnerit Roland Koka.

Ndarja e detyruar për arsye të vazhdimeve të studimeve pasuniversitare në Spanjë është shoqëruar me emocione të shumta për Xhoenin. Ndeshja, Vllaznia-Kastrioti ishte e fundit për të si pjesë e stafit të klubit. Në mbyllje të saj, por edhe në seancën stervitore të mesjavës, ai ka takuar çdo pjesëtar të klubit, që nga presidenti Alban Xhaferi, administratën e klubit, stafin teknik, futbollistët, punonjësit e terreneve sportive dhe deri tek punonjësi më i thjeshtë i shërbimit të stadiumit “Loro Boriçi”, duke i shprehur respektin dhe mirënjohjen gjithësecilit për periudhën e bashkëpunimit.

Një gjë të tillë e ka përcjellë edhe në një postimin personal të publikuar në rrjetet sociale ku dallohet qartë përjetimi emocional i ndarjes me Vllazninë dhe Shkodrën e tij të dashur.

“Jam shume krenar qe pervoja ime e pare e punes ne futboll ishte ne ekipin me te vjeter shqiptar, ne Vllazninë e Shkodrës.

Mes shume peripecive e ulje-ngritjeve arritem qe te fitonim nje trofe te çmuar, si nga ana profesionale po ashtu dhe ajo morale. Kupton se si cdo rezultat ka peshen e vet dhe futbolli perfshin kaq shume gjera qe nuk shihen nga jashte, por ne te njejten kohe te jep shtyse per te vazhduar me tej, qofte kur je ne piken tende me te ulet apo ne ate me te larte.

10 foto ndoshta jane te pamjaftueshme per te pershkruar kete rrugetim, por ne to gjenden njerez dhe emocione qe ne syrin tim, jane te papershkrueshem.

Fillimisht dua te falenderoj te gjithe personelin e Vllaznise, duke filluar qe nga presidenti Xhaferi per mundesine e dhene, stafet teknike me te cilet kam punuar(sidomos prof. Josen dhe Mishon), lojtaret, ekipin mjekesor dhe operacional qe punojne cdo dite te palodhur, ne menyre qe Vllaznia te kete sukses. Sukses te cilin e do çdo tifoz i kesaj skuadre, te cilet gjej rastin ti falenderoj per mikpritjen dhe afeksionin e dhene.

Per familjen time Domnori, fjalet mund te mos jene te mjaftueshme, por mirenjohja eshte e pafundme per dashurine dhe ngrohtesine qe me keni dhene.

Fale prinderve te mi dhe njerezve qe me kane rrethuar gjate jetes, po mundohem dite pas dite te bej me mire, ne cdo drejtim te mundshem.

Me foton e fundit, deshiroj ti kushtoj rendesi dy personave te cilet nuk jane mes nesh. Te dy kane qene pjese e rendesishme e perditshmerise time, njeri fizikisht dhe tjetri jo, por te dy bashke jane modele te forta te burrit qe dua te jem. Gjysherit e mi, Eqerem Tugu dhe Luan Çausholli, perfaqesues dinjitoze te dy qyteteve prej nga kam origjinen, jam krenar qe jam trashegimtar i juaji dhe shpresoj me gjithe zemer te jeni duke buzeqeshur duke me pare, kudo qe te jeni.

Faleminderit Shkodër, Faleminderit Vllazni! ”, shkruan Xhoeni në postimin e tij.

Në mbyllje, një respekt dhe mirënjohje për Xhoenin edhe nga portali  “Veriu Sport”, bashkëpunimi me të cilin ka qënë në mënyrën më të mirë.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img