Wednesday, April 24, 2024

Vit i ri, Vllazni e re! Kuqeblutë, synojnë dy trofetë e sezonit

Lexo

Vllaznia e Shkodrës duket se është në momentin më të mirë të saj. Fillimi i vitit 2023 ka ardhur vetëm me lajme të mira. Fitorja spektakolare, 1-2 me përmbysje në transfertë me Partizanin kryesues të kampionatit, super goditja në merkato duke firmosur me sulmuesin e kombëtares, Bekim Balaj, si dhe fitorja e djeshme në transfertë, 0-2 me Bylisin e Ballshit, ishin lajmet më të mira në kampin kuqeblu që u regjistruan në harkun kohor të pesë ditëve.

Katër pikë larg vendit të parë dhe tre ndaj vendit të dytë në kampionat, si dhe hapi shumë pozitiv i hedhur me fitoren e ndeshjes së parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, ditën e djeshme në Ballsh, janë tregues kuptimplotë që tashmë Vllaznia po bind duke qënë e denjë të luftojë në dy fronte, Kupë dhe Kampionat.

Dy trofetë radhazi të fituar nga Vllaznia për Kupën e Shqipërisë, kanë ngrohur jo pak mjedisin e tifozërisë shkodrane. Por, realisht, fansat kuqeblu, janë të “etur” për titullin kampion, trofe, që i mungon Shkodrës prej 22 vitesh.

Ndaj, duket se tashmë është momenti më i përshatshëm për realizimin e këtij objektivi. Nuk ka asnjë dyshim, që ky fillim viti ka formatuar një Vllazni autoritare në fushën e lojës.

Pa shkuar shumë larg, vetëm në ndeshjen e djeshme të luajtur në Ballsh, kuqeblutë treguan potencë ndaj një skuadre që jo shumë larg e kishte mundur në “Loro Boriçi”.

Edhe pse në fushën e lojës, Vllaznia kishte shumë mungesa titullarësh, tekniku Josa, arriti të formatonte një formacion bindës duke arritur tek fitorja. Me t’u kthyer nga Ballshi, kuqeblutë nuk kanë bërë asnjë moment pushim, por janë paraqitur menjëherë në fushën stërvitore, pasi të shtunën presin në “Loro Boriçi” Laçin për llogari të javës së 17-të të kategorisë Superiore.

Ndeshje kjo, që krahas të tjerave po pritet me interes nga tifozëria shkodrane, pasi sipas deklaratës së vetë trajnerit Josa, do të ketë debutimin e tij të parë me uniformën kuqeblu, blerja më e re, shtatlarti i sulmit të kombëtares, Bekim Balaj.

Krahas seancës së sotme, e cila në fakt ishte më shumë e karakterit shkrythës, trajneri Mirel Josa ka në dispozicion edhe dy seanca stërvitore, për të përgatitur skuadrën në prag të ndeshjes zyrtare me Laçin, e cila është planifikuar të luhet, pasditen e së shtunës duke filluar nga ora 16:00.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img