Monday, May 6, 2024

Vllazni e blinduar në çdo repart, “dhimdje koke” për stafin, konkurencë e madhe për formacionin

Lexo

Vllaznia është ndër skuadrat më aktive të kampionatit shqiptar sa i përket merkatos. Largimi i disa futbollistëve titullarë në skuadrat e tjera të Superiores la një shije aspak të mirë në opinionin sportiv shkodran dhe më gjërë duke paralajmëruar ndonjë dobësim të skuadrës për sezonin e ri futbollistik. Por, nuk ndodhi kështu, sepse stafi kuqeblu me në krye sponsorin Alban Xhaferi nuk u ndal për asnjë moment duke qënë në kërkim të futbollistëve cilësore.

Firmosja më e fundit me shkodranin Ersin Hakaj që rikthehet në Shkodër pas një përvoje pesë vjeçare në skuadrat e tjera të kampionatit shqiptar, Partizani dhe Teuta, ka bërë që sidomos reparti i prapavijës të jetë i blinduar në të gjitha pozicionet.

Por, jo vetem mbrojtja, sepse dhe në repartet e tjerë, duke filluar nga porta, mesfusha dhe sulmi, rezulton e njëjta situatë, ku secili titullar është i dubluar, me një apo më shumë futbollistë, të cilët luftojnë për të marë një vend titullari duke rritur në maksimun konkurencën në skuadër. Që do të thotë se për teknikun Brdariç dhe kolegët e tij, Plori dhe Lekiqi nuk do të jetë e lehtë, madje mund të ketë edhe dhimbje koke për të përzgjedhur emrat që duhet ta nisin ndeshjen nga minuta e parë.

Në këtë këndvështrim, drejtuesit e klubit duken mjaft të kënaqur me formatimin e skuadrës, por ndërkohë bëhet e ditur se merkato e Vllaznisë nuk është mbyllur akoma. Në shënjestër është gjetja e një sulmuesi potent, për të cilin kuqeblutë ka kohë që e kërkojnë. Me maqedonasin Gjorgjeviç, stafi ka mbetur i kënaqur me shërbimet e tij, pasi golat e tij në ndeshjet ndërkombëtare të Europa Conference League ishin perfekt për nga mënyra e realizimit, por gjithësesi, ka kërkesa akoma më të mëdha në këtë drejtim.

Gjithsesi, duhet thënë se Vllaznia është gati tashmë për sezonin e ri futbollistik. Testi kyesor i kuqebluve do të jetë ndeshja e Supërkupës së Shqipërisë që do të luhet fundjavën e ardhshme përballë durrsakëve të Teutës, ndeshje të cilën skuadra kuqeblu e ka vlerësuar në maksimum duke mos e fshehur aspak dëshirën dhe objektivin për ta fituar këtë trofe, që do t’i hapte rrugë trofeve të tjerë të sezonit të ri futbollistik.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img