Saturday, July 27, 2024

Vllaznia e femrave mundet në shtëpi nga Real Madrid, por del me kokën lart nga stadiumi “Loro Boriçi”. Tifozëri konkuruese me Vllazninë e meshkujve

Lexo

Vllaznia-Real Madrid 0-2

(Shënuese: Gonzalez 54′, Karmona (P) 76′)

E enjte, 20 tetor 2022, ora 18:45, stadiumi “Loro Boriçi”-Shkodër

VLLAZNIA: Mosier, Popoviç, Noks, Maliqi, Gjini, Berisha, Franja, Kavanaug, Doçi, Paterson, Bashka. Trajner: Nikolin Leka

REAL MADRID: Rodrigez, Robles, Souza, Galvez, Svava, Toleti, Olofson, Zornoza, Athinea, Karmona, Gonzalez. Trajner: Alberto Toril

Gjyqtarë: Catarina Campos(POR), Vanesa Gomes(POR), Ana Sila(POR). E katërt: Sara Alves(POR)

Ashtu siç pritej, mbrëmja e së enjtes së 20 tetorit 2022, përfshiu në festë stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, në shkallët e të cilit ishin mbi 6 mijë tifozë kuqeblu, që në një farë mënyre të dukej që po sfidonte edhe Vllazninë e meshkujve, teksa mbështeten skuadrën e tyre të zemrës në startin e ndeshjeve të fazës në grupe për Ligën e Kampioneve të Europës.

Himni i Women’s Uefa Champions League dhe dekori i këtij kompeticioni të rëndësishëm europian që kishte pushtuar tapetin e gjelbërt në ceremoninë e prezantimit të ekipeve, ishin një emocion më vete. Por, emocionet e verteta u spostuan më pas në ballafaqimin e fushës së lojës, ku për hirë të së vertetes fillimi përrreth dhjetë minuta ishte i frikshëm për skuadrën mysafire, e cila duke e shpërngulur lojën në gjysëmfushën e Vllaznisë krijuar disa raste shënimi për gol, përfshirë edhe një shtyllë të goditur.

Pasi ka përballuar me sukses presionin e minutave të para, Vllaznia çlirohet nga emocionet dhe nis e del në lojën e saj. Me një përmirësim të dukshëm të qarkullimit të topit, nga mbrojtja dhe mesfusha, skuadra kuqeblu nis e viziton më shpesh portën kundërshtare. Madje, me sulmuesen potente Megi Doçi, Vllaznia kërcënon portën spanjolle, por gjen në gadishmëri portjeren Rodriguez.

Me rezultatin 0-0 mbyllet pjesa e parë, 45 minuta të cilat ishin dinjitoze për skuadrën kuqeblu, e cila teksa po i  drejtohej dhomave të zhveshjes për pushimin mes dy pjesëve, merr masivisht duartrokitjet e tifozërisë së pranishme në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi”.

Pjesa e dytë nuk nis mirë për Vllazninë, e cila pas nëntë minutave nga starti, pikërisht në të 54-tën, pëson golin e parë në portën e saj. Një gol, i cili edhe mund të evitohej, pasi shënuesja Gonzales, edhe pse e vetme mes 4-5 futbollisve shkodrane, punon e qetë me topin, duke gjetur hapësirën e duhur për të goditur direkt e në rrjetë.

Pas pësimit të golit shohin një Vllazni, e cila e orientuar nga trajneri Nikolin Leka, ndërron kurs duke shtuar akoma më shumë forcat sulmuese. Por, pikërisht në momentin më të  mirë të saj goditet me pësimin e golit të dytë. Një vendim disi i dyshimtë i arbitres portugeze Catarina Campos, duke akorduar penallti për Real Madrid, i jep mundësi skuadrës mike që përmes ekzekutimit të saktë të numrit 7, Olga Karmona të shënojnë golin e dytë në minutën e 76-të.

Minutat e mbetura, pëerfshirë edhe ato tre shtese, megjithë përpjekjet e të dyja skuadrave, nuk sjellin ndryshim rezultati. Në këtë mënyrë, e gjithë ndeshja, Vllaznia-Real Madrid mbyllet me fitoren e ekipit madrilen, me rezultatin 0-2.

Ndonëse, në objektivin e Vllaznisë, ishte marrja e një rezultati pozitiv, pjesë e së cilës ishte edhe barazimi, edhe pse u mund me rezultatin 0-2, skuadra kuqeblu ka dalë me kokën lart nga tapeti i gjelbërt i stadiumit “Loro Boriçi”.

Natyrisht, që përballë një kundërshtari të tillë, ku diferencat janë shumë të mëdha, në të gjitha aspektet, humbja e ndeshjes nuk është se edhe nuk pritej. Por, ajo që ka rëndësi dhe që në fakt u komentua nga ana e specialistëve të futbollit, është paraqitja dinjitoze e Vllaznisë në këtë ndeshje, paraqitje e cila të jep shpresë dhe garanci që skuadra kuqeblu të jetë konkuruese dinjitoze e grupit A të fazës së grupeve, ku krahas Real Madrid, do të përballen edhe Çelsin dhe PSG-në.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img