Në dispozicion të trajnerit Edi Martini për ditët përgatitore që po zhvillohen në Shkodër në prag të ndeshjeve europiane është edhe një kontigjent futbollistësh të ardhur nga Vllaznia B, skuadër e cila nën drejtimin e trajnerit Brikeno Bizi u shpall kampion i Kampionatit Kombëtar të Kategorisë së Tretë për sezonin 2025-2026 duke fituar të drejtën që në sezonin e ri të luajë në Kampionatin e Kategorisë së Dytë.
Një skuadër kjo, e cila që në momentin e formimit, qëllimi i drejtuesve të klubit ka qënë dhe është furnizimi i ekipit të parë.
Mes këtij kontigjenti janë edhe disa futbollistëve të huaj, ku për momentin vemendjen më të madhe e ka marrë nigeriari Alele Xhunior Obele. 19-vjeçari i cili gjatë sezonit të kaluar spikati si një sulmues i mirëfilltë i krahut të majtë, ku vetëm për fazën e dytë që u afrua shënoi shtatë gola për Vllazninë B në dhjetë ndeshje aktivizim.
Ditët e para stërvitore të Obele janë shoqëruar me vlerësime pozitive nga stafi teknik, ndërkohë një test serioz për nivelin e tij pritet të jetë aktivizimi në miqësoren e mesjavës, kur Vllaznia do të ndeshet pasditen e së mërkurës në stadiumin “Loro Boriçi” me skuadrën e Superligës malazeze, Deçiq e Tuzit.
Përvoja që po kalon te Vllaznia, ka marrë vemendjen edhe të shtypit sportiv afrikan, ku ndër të tjera, në shkrimin e botuar nga “Africafoot” thuhet se afirmimi në kampionatin shqiptar me ekipin e Vllaznisë B është shoqëruar me një interes edhe nga menaxherë të ndryshëm të futbollit, të cilët bëjnë të ditur se janë disa skuadra europiane nga Bullgaria, Greqia, Franca, Italia, por edhe nga Katari, që janë vënë në ndjekje të 19-vjeçarit nga Nigeria, por që gjithësesi, për momentin, KF Vllaznia është një hap para të gjithave.


