Monday, May 20, 2024

Vllaznia e penalizuar nga rimbjellja e barit në tapetin e “Loro Boriçit”, rrezikon të luajë ndeshjen e javës së pestë brenda me Dinamon

Lexo

Që prej ditës së djeshme, në fushën e stadiumit “Loro Boriçi” ka nisur proçesi i rimbjelljes së barit. Një process ky që tashmë po bëhet i zakonshëm të kryehet çdo vitë në këtë periudhë falë problemeve që shoqërojnë tapetin e gjelbërt të stadiumit.

Drejtuesit e Vllaznisë kanë reaguar vazhdimisht për një gjë të tillë, duke e lidhur këtë me cilësinë jo të mirë të firmës greke që ka kryer këtë process vite më parë, që sipas tyre, përzgjedhja e cilësisë së farës së barit nuk arrin të rezistojë më tepër së një vitë.

Një gjë e tillë ka shkaktuar jo pak probleme për skuadrën e parë, e cila ka qënë e detyruar të shtegtojë në stadiume të tjera për të luajtur ndeshjet e saj që në kalendar janë të përcaktuara për t’u luajtur brenda.

Sipas përllogaritjeve të drejtuesve kuqeblu, duke qënë se Vllaznia ndeshjen e radhës e luan këtë fundjavë në transfertë me Skëndërbeun e Korçës, ndërkohë që më pas do të jetë edhe ndërprerja e kampionatit për arsye të grumbullimit të kombëtares kuqezi, është menduar që skuadra kuqeblu të rikthehet në stadiumin e saj në ndeshjen e javës së pestë ndaj Dinamos

Në interesimin që Veriu Sport pati me kameras, punonjës të terreneve sportive të Shkodrës, por edhe vetë përfaqësuesit e firmës greke që po merret me proçesin e rimbjelljes së barit konfirmojnë se fara e barit e hedhur në tapetin e fushës së stadiumit “Loro Boriçi” kërkon minimalisht një afat tre javor për të dalë në parametrat e lejuar që të përballojë ngarkesën e zhvillimit të ndeshjeve në të.

Që do të thotë, se ndeshja Vllaznia-Dinamo e vlefshme për javën e pestë të Superiores së futbollit shqiptar, e cila është e planifikuar të luhet me datë 17 tetor në stadiumin “Loro Boriçi” rrezikon seriozisht që të zhvillohet në këtë impiant sportiv.

Më herët, kur stadiumi ka qënë i bllokuar me të tilla punime, me mirëkuptimin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Vllaznia ka mundur të shfrytëzojë stadiumin “Reshit Rusi” për zhvillimin e ndeshjeve të saj, por, sipas drejtuesve të klubit kuqeblu, për këtë sezon, një gjë të tillë nuk e lejon organizmi i UEFA-s

Në këto kushte, drejtuesit e klubit kuqeblu duhet të fillojnë të mendojnë seriozisht që tani për gjetjen e një stadiumi të lirë për të luajtur sfidën e javës së pestë, Vllanzia-Dinamo. Që, nëse realisht do të ndodhë kështu, atëherë Vllaznia do të jetë dy herë e penalizuar. Fillimisht, për cilësinë dhe përformancën në fushën e lojës, që mund të mos jetë e duhura për skuadrën kuqeblu, si dhe nga ana tjetër, një penalizim tjetër jo i vogël vjen edhe në aspektin financiar, pasi nëse dueli, Vllaznia-Dinamo do të zhvillohej në “Loro Boriçi”, pjesëmarrja e tifozërisë shkodrane do të kishte qënë në shifra rekord.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img