Thursday, April 25, 2024

Vllaznia humbet në transfertë me Partizanin 2-1, por mban përsëri vendin e katërt në renditje

Lexo

Partizani-Vllaznia  2-1

(Shënues: Rrapaj 26’, Sota 33’/Balaj 52’)

2 me 1 në favor të Partizanit është mbyllur ndeshja e luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Arena e Demave” të kryeqytetit për llogari të javës së 34-të të kategorisë Superiore.

Një ndeshje me dy pamje, një pjesë e parë për t’u harruar nga skuadra kuqeblu, e cila edhe pse e filloi sfidën më mirë sesa Partizani me dy raste të shpejta të Markut dhe Juriç, më pas bie në gabime të shumta duke ia lënë iniciativen Partizanit.

Dhe, vendasit e shfrytëzojnë për mrekulli këtë çoroditje të Vllaznisë, duke  ushtruar presion në portën kuqeblu me disa sulme radhazi, por janë ndërhyrjet e portjerit Zogoviç që shpëtojnë për mrekulli portën shkodrane.

Por, në vazhdim, malazezi i portës shkodrane Bojan Zogoviç dorëzohet, kur në harkun kohor të shtatë minutave Partizani shënon dy herë në rrjetën e Vllaznisë. Fillimisht është Rrapaj në minutë e 26-të, i cili pasi merr një top tokazi nga e djathta e sulmit të të tijve godet saktë nga një pozicion ballor me portën kuqeblu. Më pas, në të 33-tën është Sota, i cili me një goditje pa shumë pretendime me kokë, topi përfundon në rrjetën e Vllaznisë.

Me avantazhin 2 me 0 për Partizanin mbyllet pjesa e parë, ndërkohë, në të dytën maqedonasi i pankinës së Vllaznisë Sedloski e nxjerrë skuadrën në fushën e lojës me ndryshime në emra si dhe në vendosje. Si rezultat i një ritmi më të lartë sesa në pjesën e parë, Vllaznia nxjerr në dritë golin e parë. Kjo i përket minutës së 52-të, kur pas krosit të dhënë nga Kruja nga e djathta, shtatlarti Bekim Balaj shënon me kokë, goli i dytë i tij në këtë kampionat.

Goli i Balajt rihap takimin duke i dhënë edhe më tepër zemër dhe besim skuadrës kuqeblu të kërkoj edhe golin tjetër të barazimit. Rastet nuk mungojnë, por gol nuk ka më, pasi i gjithë takimi mbyllet me rezultatin 2 me 1 në favor të Partizanit.

Vllaznia largohet kështu e mundur nga kryeqyteti, por fatmirësisht, fitorja e Tiranës në transfertën e Laçit, bën që kuqeblutë të mbajnë përsëri vendin e katërt në renditje me 2 pikë më shumë se kurbinasit me të cilët do të përballen  javën e ardhshme në “Loro Boriçi”, në një sfidë vendimtare për vendin e katërt dhe zonën Europiane. Por, ndërkohë, zonën Europiane e synojnë edhe duusakët e Edi Martinit, të cilët me fitoren e sotme ndaj Kastriotit, aktualisht mbajnë vendine pestë me njw pikë më pak sesa Vllaznia.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img