Sunday, April 14, 2024

Vora-Elbasani, supersfida e Kategorisë së Dytë për titullin kampion

Lexo

Vora dhe Elbasan janë dy skuadrat zhvilluan një sezon fantastik me futboll mjaft të bukur e qindra tifozë në tribuna dhe të enjten e 11 majit, në ora 18:00 do luhet finalja për titull kampion e Kategorisë së Dytë në Arenën Kombëtare.

Trajneri i Vorës, Artan Merxhushi, në një intervistë për Radio Televizionin Shqiptar ka treguar gatishmërinë e tij për të luajtur këtë finale.

“Duam t’i bëjmë një mbyllje dinjitoze sezonit dhe ku ka më mirë se ta fitonim edhe këtë trofe kjo për shpërblimin e punës së gjithë vitit. Jo vetëm kaq, por dhe për të kënaqur tifozët dhe sportdashësit tanë, të cilët na kanë mbështetur gjatë gjithë sezonit. E për këtë arsye ne kemi qenë të angazhuar gjithë këtë periudhë. Kemi vazhduar me të njëjtin ritëm pune dhe mënyrë, pavarësisht se ngjitjen edhe matematikisht e kishim siguruar katër javë përpara se të shpalleshim fitues të grupit. Tani është në lojë një tjetër trofe i sezonit dhe jemi përgatitur dhe ia kemi bërë hyzmetin maksimalisht për ta fituar dhe këtë Kupë”, thotë Merxhushi.

Sa e njeh Vora realisht kundërshtarin që do të ketë përballë? Mërxhushi, edhe për shkak të eksperiencës së gjatë në drejtimin e disa skuadrave, e ka të qartë skuadrën që do të ketë përballë.

“I dimë pikat e forta dhe e dimë edhe ku mund ta ndëshkojmë kundërshtarin. Por gjithsesi ato ekzistojnë në letër, por se çfarë do të sjellë fusha e lojës nuk e parashikon dot”, shpjegon i pari i pankinës së Vorës.

Sakaq më 2018-ën, të dyja skuadrat kanë qenë finalen e Kategorisë së Dytë, që është zhvilluar në “Selman Stërmasi” dhe është fituar nga Vora, 5-2. A vlen ky rezultat si motivim për skuadrën e Merxhushit?

“Nuk mbështetemi dot tek ato statistika. Do të mbështetemi vetëm tek puna jonë, tek serioziteti dhe cilësia që kemi brenda grupit”, pohon Merxhushi.

Por ndërkohë skuadra ka shfaqur dhe shenja euforie, gjë që ka qenë e dukshmenë përballjet e fundit. Merxhushi është duke punuar shumë në këtë drejtim, pavarësisht se, sipas tij, është e vështirë.

“Them se ka qenë pak e vështirë, sepse edhe ritmi e tempi në dy ndeshjet e fundit, atë me Naftëtarin dhe Murlanin, nuk ka qenë i duhuri. Megjithëse nuk e kemi vënë në diskutim fitoren. Por loja nuk ka qenë në atë ritëm që ne do të dëshironim, apo siç ka qenë përpara realizimit të objektivit”, shpjegon Merxhushi.

Kategoria e Parë është një tjetër histori dhe i pari i bankinës së Vorës pohon se pjesa më e madhe e skuadrës do të ruhet për të bërë një tjetër sezon të mirë.

“Besoj se 80 përqind e grupit, ashtu sikurse kemi folur, do të jetë pjesë e Vorës edhe sezonin e ardhshëm. Por do të ndërhyjmë shumë pak me 4-5 përforcime për të plotësuar grupin”, ka përfunduar Merxhushi.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img