Monday, November 25, 2024

(Video) Lamtumirë Nikoll Gjergji! Ish futbollisti i Vllaznisë, Luftëtarit, kombëtares, trajneri dhe opinionisti i futbollit, ndërron jetë në moshën 80 vjeçare, duke lënë pas një karrierë të pasur sportive.

Lexo

Ish futbollisti i njohur i Vllaznisë, i Luftëtarit të Gjirokastrës, i kombëtares së Shqipërisë, por edhe ish trajneri dhe opinionisti i studiove televizive për futbollin, Nikoll Gjergji, ka ndërruar jetë në moshën 80 vjeçare.

Përpos futbollit, atletika dhe volejbolli, ishin sportet e preferuara të Nikoll Gjergjit, duke qënë mjaft rezultativ në shërbim të ekipeve të Vllaznisë. Por, natyrisht, futbolli do të ishte ai që do të zinte pjesën më të madhe të jetës së tij. Gjergji, i përket brezit të viteve 60-70, vite këto kur ai luajti përkrah emrave të tillë, si Zija Dani, Jonuz Teli, Pjetër Dusha, Deto Zmijanin, Qamil Medja, Xhevdet Basha, Frederik Çapaliku, Hajrullah Leken, Selami Dani, Dan Komi, Ahmet Meta, Kol Gjoni, Selman Cukali, Menduh Dedjen, Esat Rakiqi, Ismet Hoxha, Millan Vaso, Lek Koçobashi, Halil Puka, Ramazan Rragami, Ismet Hoxha, Nuh Isufi, Rauf Çanga, Paulin Ndoja, Mehdin Zhega, Sabah Bizi, Çesk Ndoja, Viktor Plumbini, dhe të tjerëve të një brezi më të rinjë që morën në vazhdim stafetën e klubit kuqeblu.

Për sulmuesin energjik, teknik dhe shpërthyes si askush tjetër me spritet e tija karakteristike të fuqishme në zonat kundërshtare, kulmi i karrierës së tij sportive do të ishte në vitin 1965 ku Vllaznia me trajner Skender Jarecin do të shpallej fituese e Kupës së Republikës.

Edhe pse një dëmtim i rëndë gjatë një ndeshje ndërkombëtare me rumunët e privivoi të vazhdonte më gjatë në fushën e blertë si futbollist, Nikoll Gjergji nuk do të shkëputej nga pasioni i tij për futbollin. Për shumë vite me radhë ai do të ushtronte detyrën e trajnerit të futbollit, kryesisht atë të moshave, nga duart e të cilit kanë dalë jo pak emra të spikatur për Vllazninë dhe kombëtaren e Shqipërisë.

Një meritë të veçantë, Nikoll Gjergji, do të kishte edhe në formimin e klubit të futbollit me emrin simbolik, “Djelmnia Shkodrane”, ku së bashku me organizatorin Gjovalin Colaj rikthyen në vemendje klubin e vjetër shkodran të para çlirimit, me të cilin konkuruan për shumë vite me sukses në kampionatet e moshave rajonale të Shkodrës.

Ndërkohë, falë njohjeve dhe profesionalizmit në fushën e futbollit, ndikuan në atë që Nikoll Gjergji të ishte në rolin e një opinionisti, kryesisht në televizionin TV Rozafa, si dhe në vazhdim edhe në TV1 Channel duke kontribuar në mbarëvajtjen e futbollit shkodran.

Personalisht, unë si autor i këtij shkrimi, ruaj kujtime shumë pozitive për bashkëpunimin e afërt që kam pasur me specialistin e futbollit,  Nikoll Gjergji, tek i cili kam gjetur, gatishmërinë dhe profesionalizmin prej një mjeshtri të vertetë në analizat që ai përcillte për publikun gjatë emisioneve sportive që unë kam drejtuar në TV1 Channel dhe Radio Shkodra, apo në shtypin e shkruar sportiv.

Fotoja që shoqëron shkrimin, është një kujtim me të ndjerin, Nikoll Gjergji, e realizuar në marsin e vitit 2012, ku ai ishte mysafir në studion e emisionit sportiv të TV1 Channel.

Falë karrieres së pasur sportive, por edhe figurës shembullor që ai përcillte si një qytetar dhe familjar model i Shkodrës, Nikoll Gjergji do të përcillej me respekte nga komuniteti i gjërë shkodran për në banesën e fundit. Mes të cilëve, spikaktin edhe kolegët e tij të sportit, Rauf Çanga, Zyhdi Çoba, Ismet Hoxha, Ahmet Meta, Zyhdi Basha, Paulin Ndoja, Bep Delia, Gjovalin Colaj, etj, të cilët të cilët kishin përgatitur edhe një kurorë të posaçshme në emër të KF Vllaznia, ndërkohë, që në prononcimet mediatike që ato dhanë gjatë ceremonisë mortore, folën me superlative për figurën e kolegut të fushës dhe mikut të afërt në jetën e përditshme.

Në nderim të kësaj figure të njohur të futbollit shkodran, teksa njofton opinionin sportiv për ndarjen nga jeta të Nikoll Gjergjit, KF Vllaznia, ngushëllon familjen Gjergji përmes një statusi na faqen zyrtare të institucionit.

“NGUSHËLLIM-Është ndarë nga jeta në moshën 80 vjeçare një nga emrat e shquar të Klubit të Futbollit Vllaznia ne vitet ’60, Nikoll Gjergji. Klubi i Futbollit Vllaznia i shpreh ngushëllimet e tij familjes Gjergji për humbjen e njeriut të tyre të dashur por njëkohësisht kjo është një humbje e madhe edhe për klubin tonë. I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!”, shkruhej në postimin e klubit kuqeblu.

Portali, Veriu Sport, i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes “Gjergji” për humbjen e njeritu të tyre të afërt, si dhe KF Vllaznia për humbjen e një veteran të nderuar të futbollit shkodran. Lamtumirë, Nikoll Gjergji! Pushofsh në paqe!

(Video) Pjesë nga ceremonia mortore e përcjelljes në banesën e fundit të veteranit të futbollit shkodran Nikoll Gjergji.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img