Ka imazhe që i përkasin historisë së sportit. Pamje ikonike që të gjithë ëndërrojnë t’i imitojnë një ditë. Kjo ndodhi me foton e Diego Armando Maradonës pas finales së Botërorit të “Meksikë 1986”. Në të, “El Diez” shfaqet duke mbajtur Kupën e Botës mes duarve ndërsa e mbajnë në krahë në stadiumin “Azteca”.
Në vitin 1986, pasi Argjentina fitoi në finalen ndaj Gjermanisë, me protagonist absolut Maradonën në atë edicion, shokët e skuadrës bënë xhiron e stadiumit në Meksikë duke e mbajtur mbi shpatulla numrin 10.
Dukej se ky imazh nuk do të përsëritej. Por Leo Messi gjithashtu arriti të fitojë një Kupë Bote si idhulli i tij dhe përjetësohet me kupën në duar, njësoj si Diego. “Kun” Aguero hyri në fushë të festonte bashkë me ish-shokët e skuadrës dhe ishte ai i cili mori në shpatulla Mesin duke bërë xhiron para tifozëve, ashtu siç bënte shumë vite më parë legjenda Maradona.