Tirana ka fituar dje me rezultat të thellë 3-0 ndaj Teutës në gjysmëfinalen e parë për Kupën e Shqipërisë. Kjo fitore ka kënaqur presidentin e Tiranës, Refik Halili, i cili në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport” pohon se ekipi tani po marshon përpara. Por, nuk nxitohet të flasë para kohe sa i përket sigurimit të finales.
“Kjo ishte një fitore, e cila bën të mundur që Tirana të marshojë dhe ecë përpara. Sa i përket sigurimit të finales, normalisht duhet të presim ndeshjen e kthimit për të folur. E kam harruar atë të vitit që shkoi, po shoh këtë të këtij viti tani. Ajo iku, çfarë ka mbaruar është mbyllur”, tha Halili.
Në fund, ai ndalet edhe te rinovimi i përfolur i trajnerit Orges Shehi.
“Jemi shumë shpejt, ka ende ndeshje përpara. Të shpresojmë që të mbyllim njëherë me sukses këtë sezon dhe më pas të shikojmë.
Shehi? E thashë njëherë. Kush të dojë mund të rrijë te Tirana, ne nuk përzëmë njeri”, përfundoi Refik Halili.