Vllaznia është rikthyer te rezultatet pozitive në kampionat, teksa në dy sfidat e fundit ka siguruar 6 pikë. Kuqeblutë do të luajnë ndeshjen e fundit të këtij viti përballë Skënderbeut në “Loro Boriçi. Një duel mjaft i rëndësishëm dhe i vështirë për kuqeblutë, të cilët ditën e premte, në orën 17:00, do të synojnë një tjetër 3 pikësh.
Klubi i Vllaznisë ka menduar për një gjest fantastik para festave të fundivitit. Të ardhurat që do të fitojë klubi nga shitja e biletave do të dhurohen për Shtëpinë e të Moshuarve dhe Shtëpinë e Fëmijës.
Njoftimi:
“Dhuro !
Ku ka më bukur se të festohet mbyllja e vitit me vllaznit në mitikun “Loro Borici”. Për më tepër duke dhuruar për shtresat në nevojë me rastin e festave të fundvitit. Pikërisht për këtë arsye, KF Vllaznia fton të gjithë tifozët kuqeblu për të qenë të pranishëm në stadium ditën e premte në orën 17:00 për ndeshjen me Skënderbeun, e fundit e këtij viti dhe të gjitha të ardhurat nga shitja e biletave të saj do të shkojnë për Shtëpinë e të Moshuarve dhe Shtëpinë e Fëmijës.
Prandaj, Eja edhe Ti! Për Vllazninë dhe për të dhuruar! Gëzojmë së bashku!.”