Sunday, December 22, 2024

(Intervista) Trajnerët Shehi dhe Mërgjyshi flasin pas ndeshjes Partizani 3-1 Apolonia

Lexo

Skuadrat e Superiores përmbushin pritshmëritë në Kupën e Shqipërisë dhe kualifikohen në fazën çerekfinale të kompeticionit. Partizani triumfoi 3-1 me përmbysje ndaj Apolonisë në “Arena e Demave”. Pas ndeshjes, trajneri i Partizanit Orges Shehi, foli për MCN TV:

“E dinim që ishte ndeshje e vështirë dhe për këtë u munduam ta trajtojmë si ndeshje të rëndësishme. Jemi të kënaqur që kualifikohemi, është e vështirë pasi me 1 takim gjithmonë është e tillë. Jam i kënaqur me Skukës që rikthehet ai që është. Por jam i kënaqur me rikthimin e Prekës nga dëmtimi.

Ndeshja me Vllazninë? Të mendojmë për Vllazninë kur kemi një ndeshje në Kupë të vështirë si kjo, pastaj ndeshje me Vllazninë ka dhe 4 ditë kohë. Të rikuperojmë energjitë dhe të përgatitemi për ndeshjen e Shkodrës.

Sa kohë do skuadra që t’i përgjigjet filozofisë tënde? Nga ndeshja në ndeshje përmirësohemi. Edhe sot ndryshuam në skemi duke dalë me 3 lojtarë. Karakteristikat e lojtarëve janë të ndryshme dhe për këtë bëjmë dhe ndryshime. Do të mundohemi që edhe lojtarët kur të rikthehen, por edhe në konfigurim, duke qenë organika e plotë do të kemi 2 apo 3 variante që mund t’i aplikojmë. Të japim direktivat, dhe lojtarët të marrin mesazhin e qartë pasi janë më të rëndësishmit.

A mendon se Skuka-Cara-Keko do të jenë shtylla e sulmit? Na mungojnë Mba dhe Bintsouka. Kemi një pjesë lojtarës ofensivë që mund të ndryshojnë nga ndeshja në ndeshje. Të gjithë janë të barabartë dhe secili ka rëndësinë e tij. Sot e filluan ata të tre dhe jam i kënaqur nga performanca e tyre, por do të mundohemi të ndryshojmë gjatë gjithë kohës pa harruar që të gjithë janë të rëndësishëm.

Kupa dhe Superiorja objektivat bazë të Partizanit? Nuk mund të heqim dorë nga trofetë, e treguam dhe në Superkupë e treguam. Jemi klub që kërkojmë gjithmonë trofetë. Do të shkojmë deri në fund për t’i fituar këto trofe që kanë mbetur.

Një sukses ndaj Vllaznisë, zbukuron garën në Superiore. Ne luajmë për vetën tonë. Kemi përqëndrim gjithmonë te performanca jonë pavarësisht kë kemi përpara. Luajmë ndaj një rivali direkt që kërkon gjithmonë të jetë në majë. Por e kam thënë që do të kërkojmë çdo herë, që ne të fitojmë ndeshjen. Pra të futemi në ndeshje pa menduar kush do dalë i 4 apo i 5, por pasi të mbarojë ndeshja të thuash që dhashë gjithçka. 100 përqind ose më shumë përballë çdo kudnërshtari.

Skuka? Do ende kohë? Ne i dimë të gjithë cilësitë që ka Skuka. Është lojtar që ka vlera të mëdha. Ka një vullnet që të rikthehet ai që ishte, por duhet të jemi të kujdesshëm në minutazhin që i japim. Sot e futa titullar, por ndryshe do të jetë kur ta fus zëvendësues. Skuka nuk është në 70% e tij.

Porta më e sigurtë, me Hoxhën apo Qirkon? Unë Albanin e cilësoi pikë kyçe të skuadrës, dhe është një portier shumë i rëndësishëm, lider i skuadrës. Kam dy portierë që të japin garanci, por rikthimi i Albanit nuk është lajm sepse e dimë çfarë peshe ka ai për ne dhe kampionatin shqiptar.

Te Partizani kanë ardhur dhe ikur trajnerë, por hera e parë me kapele. Kapelja, ogur suksesi? Trajnerët vijnë dhe ikin, Partizani do të ngeli. Shpresoj të kem fatin që të rri sa më gjatë këtu. Kryesorja janë rezultatet.”

Nga ana tjetër, Apolonia u eliminua nga Kupa. Pas ndeshjes trajneri Artan Mërgjyshi foli për MCN TV:

“Kemi bërë mirë duke ditur edhe Partizanin dhe kontigjentin që ka në dispozicion. Partizani nuk ishte i fjetur në këtë ndeshje dhe pas zhgënjimit me Laçin ishte shumë i karikuar. Kemi bërë një ndeshje të mirë, kemi patur shanset tona. Rezultati 3-1 nuk është real, pasi kishim një rast pas 2-1, por e priti Hoxha. Jam i kënaqur me lojën e skuadrës. Diferencën e bën organika, pasi Partizani ka dy 11-she titullare. Objektivat? Patjetër që Kupa nuk u neglizhua nga ana jonë, por objektivi ynë kryesor është kampionati. Kemi diferencë me dy ekipet kryesuese, por do të bëjmë maksimumin në çdo ndeshje. Edhe “Play-off” është një mundësi për të arritur Superiores. Unë kam gjetur një skuadër të mirë dhe me kualitet, por nuk kemi shumë lojtarë në dispozicion. Duhet të fillojmë nga ndeshja e radhës për të marrë maksimumin.

Merkato? Klubi po punon sepse unë kam vetëm 1 javë që jam afruar. Klubi ka mbyllur kontrata me 3 lojtarë që janë afrikanë. Por akoma nuk janë në dispozicion të skuadrës. Me ato 3 lojtarë do të jemi më të plotë aty ku kemi nevojë.

Do e tentoni vendin e dytë? Diferenca është gati 12 pikë. Ekipet para nesh kanë objektivat e tyre dhe është shumë e vështirë. Por ne do t’i bëjmë hysmetin pasi kur luajtëm një ndeshje të tillë me Partizanin, ekipi e ka fuqinë edhe për gjëra të tjera.”

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img