Sunday, May 19, 2024

(Intervista) Trajnerët Josa dhe Mehmeti flasin pas ndeshjes Laçi 1-0 Dinamo

Lexo

Laçi fitoi në shtëpi përballë Dinamos në ndeshjen e vlefshme për 1/8 e Kupës së Shqipërisë me rezultatin 1-0 të vendasve. Pas ndeshjes, trajneri i Laçit, Mirel Josa, u shpreh për MCN TV:

“Nuk do të bëhem hipokrit nëse skuadra kualifikohet përballë një ekipi si Dinamo. E cila është një skuadër që kërkon të rritet dhe 3 ditë më parë nuk ka luajtur në kampionat. Jam i kënaqur sepse ishim solidë. Ekipi ynë kishte dëshirë dhe për mua është shumë e rëndësishme fitorja për sot dhe vazhdimësinë. Më pëlqeu mënyra se si kontrolluam kundërshtarin. Megjithëse Dinamo në pjesën e dytë ndryshoi mënyrën e lojës, pasi në pjesën e parë nuk luajtu me dy sulmues të deklaruar, por me 9 të fshehtë. Në pjesën e dytë doli me Kaçorrin përpara. Mos të kishim shënuar do ishte më e vështirë, por nuk rrezikuam përveç pritjes së Dajsinanit.

Mesfusha e mbajti shumë mirë ekuilibrin. Duke patur parasysh që mesfushorët e qendrës duhet të shtynin përpara ishte efikase për në. Nuk e zgjidhën vetëm mesfushorët ndeshjen pasi dhe disa të tjerë në rolet e tyre ishim shumë mirë. Kishim përballë Dinamon që dinë të luajnë mirë me topin dhe na kanë mposhtur në dy ndeshjet e kampionatit. Por për mua sot merr vlerë ndeshja e Partizanit. Pasi të dielën kemi një ndeshje të vështirë përballë Teutës.

A mendon se Laçi mund të prodhojë të njëjtin futboll në vazhdimësi pas fitores me Partizanin dhe Dinamon? Skuadra ka lojtarë të rinj dhe duhet të jemi të ndërgjegjshëm se deri ku mund të shkojmë. Kemi bërë ndeshje të mira, por edhe të dobta. Problemi im është që gabimet të cilat shfaqen, mos të përsëriten në ndeshjet pasardhëse.

Nuk e mendonit Dinamon në një nivel minimal sot? Unë Dinamon e kam parë, por nuk më kalon të flas për kundërshtarin, por vetëm për skuadrën time. Nuk më intereson problemi i Dinamos, por vetëm i skuadrës sime.”

Nga ana tjetër, Dinamo nuk arriti të kualifikohej në raundin tjetër. Pas ndeshjes, Dritan Mehmeti u shpreh:

“Janë dy faktorë që ndikuan në interpretimin e ndeshjes. Pozicioni i mbrojtësit të Laçit dhe pretendimi ynë për 11-metërsh. Mund të ndryshohej fati i ndeshjes. Të dyja rastet ishin penallti. Jemi të gjithë fajtorë për këtë eliminim, përgjegjësinë kryesore e marr unë. Duhet të ishim shumë më agresiv në fushë.

Vuajmë në linjat e mesfushës, kemi nevojë për lojtarë që marrin përsipër. Nuk e kemi gjëtur një lojtarë 8-sh. Laçi ka një ekip të organizuar në mesfushë dhe na dominuan aty. Nuk ditëm të reagojmë, por duhet të kesh mentalitet fituesi.

Besim te skuadra? Kam shumë besim, e kam kërkuar me ngul që të kishim përforcime në mesfushë, lojtarë që bëjnë diferencën. Kemi lojtarë të rinj që janë për të ardhmen, ndërsa lojtarë që marrin përsipër kemi shumë pak. Jam trajner dhe do të bëj maksimumin për t’i marrë maksimumin skuadrës. Mënyra si është ndërtuar skuadra ka vështirësitë e saj. Nuk po gjejmë dot një lojtarë në mesin e fushës, presidenti po bën maksimumin e tij

Një brazilian po vjen te Dinamo? Jemi në bisedime me 3-4 lojtarë, por nuk mund të flas pasi s’ka mbaruar asgjë.

Ishte rruga më e vështirë por më e shkurtër për Europën. Më vjen keq që na u mbyll kjo derë. Na mbetet të fokusohemi vetëm te kampionati dhe të bëjmë më të mirën në ndeshjen e rradhës ndaj Kukësit.”, tha Mehmeti.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img