Studenti-Vllaznia 3-1(25-17, 25-12, 22-25, 25-16)
Vllaznia dhe Studenti, do të luajnë një ndeshje të tretë për të përcaktuar skuadrën që do të kualifikohet në gjysëmfinalet e Kampionatit Kombëtar për Superligën e volejbollit meshkuj.
Fitorja e e ndeshjes së parë nga ana e Vllaznisë me rezultatin 3 me 2, ndeshje e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës këtë mesjavë nuk i ka mjaftuar kuqebluve për të kaluar në gjysëmfinale, sepse për të shkuar atje duhej edhe një fitore tjetër në Tiranë. Por, kjo nuk ka ndodhur, sepse Studenti e mundi Vllazninë me rezultatin 3 me 1 duke bërë që rezultati i dy ndeshjeve të barazohej në 1 me 1.
Referuar ndeshjes së dytë, e luajtur mbrëmjen e së shtunës në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të kryeqytetit, për hirë të së vertetes duhet thënë se Vllaznia ishte larg asaj që është shfaqur gjatë ndeshjeve të mëparshme, aq sa u mendua se me fitoret e dy seteve të parë me shifrat e thella, 25 me 17 i pari dhe 25 me 12 i dyti, Studenti po e mbyllte ndeshjen shumë shprjt në kohë me rezultain 3-0.
Por, mesa duket, ndërhyrjet e trajnerit Artan Kalaja në pushimin pas setit të dytë duke “shkundur” skuadrën, dha efektin e duhur, sepse volejbolistët kuqeblu ishin krej ndryshe në këtë set, të cilin arritën ta fitojnë me rezultatin 22 me 25.
Me marrjen e setit të tretë, u krijua përshtypja se Vllaznia po përsërit atë që bëri në Shkodër, ku nga 0-2 e përmbysi ndeshjen në favorin e saj, 3-2. Por, fatkeqësisht, djemtë kuqeblu iu kthyen avazit të dy seteve të parë duke u shfaqur të plogësht në lojën e tyre, sidomos në lojën mbrojtëse ku u pësuan shumë pikë që me pak kujdes mund të evitoheshin. 25 me 16 mbyllet ky set në favor të Studentit duke firmosur fitoren e krejt ndeshjes me rezultatin 3 me 1.
Tashmë, ekipi që do të kalojë në gjysëmfinale nga çifti, Vllaznia-Studenti, do të dalë nga një ndeshje të tretë, që sipas formulës së kampionatit, do të luhet përsëri në Shkodër, të martën e ardhshme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.
(Video) Pamje nga ndeshja, Studenti-Vllaznia, 3-1. Takimi i dytë, Para Play Off.