I madhi i basketbollit shkodran dhe atij shqiptar, Renato Radoja mbush plot 81 vjeç. Një nga emrat më të spikatur të koshit shqiptar, ku përpos Vllaznisë ka përfaqësuar edhe klubet e Tiranes dhe Partizanit me të cilët ka fituar trofetë e kampionit të Shqipërisë. Pa lënë mënjanë këtu edhe ekipin kombëtar kuqezi ku ashtu si edhe në klubet përkatëse ka qënë truri i kësaj skuadre. Në këto 81 vite, rreth 70-të i takojnë sportit të basketbollit, si sportist dhe me pas trajner duke dhënë edhe aty më të mirën e tij me ekipet e meshkujve dhe femrave të Vllaznisë dhe ekipit kombëtar. Madje, edhe në këtë moshë ai vazhdon ta ushtrojë këtë detyrë me plot pasion dhe profesionalizem duke përcjellë tek brezat e rinjë pjesë nga mjeshtria e basketbollit që ai e paraqiti për shumë e shumë vite në fushën e lojës.
Një ditëlindje kjo që e rikthen në vemendje nga i gjithë opinioni sportiv dhe më gjërë Mjeshtrin e Madh të basketbollit shqiptar. Një ditëlindje që fare mirë mund të merrte vemendjen e institucioneve sportive dhe qeverisjes vendore të Shkodrës që nuk u ndienë fare në këtë rast. Por, natyrisht që komuniteti, kolegët, brezat e sportistëve që ai nxori nga duart e tij, duket se janë disi më të ndjeshëm në këtë drejtim. Nga urimet e shumta të ngrohta dhe dashamirëse të përcjella në rrjetin social FB adresuar mjeshtrit të njohur Renato Radoja, Veriu Sport përzgjodhi pikërisht atë të Leonard Qytezes, një qytetar model i Shkodrës, ish basketbollist dhe më pas shumë i njohur për shoqërinë si specialist në profesionin e tij të inxhinierit mekanik, të cilin po e përcjellim ashtu origjinal siç ai e publikoi në profilin e tij personal….
Sot, me 31 Tetor 2020, Mjeshtri i Merituar i Sportit,
Renato Radoja , ylli i basketbollit në Ballkaniaden e vitit 1965, mbushi 81 vjeç.
Vendi ynë, Shqipëria, po kalon kohë të vështira nga Pandemia e Covid 19, por, edhepse, shumë nga Lisat e naltë të artit e kulturës, të sportit dhe shkencës po ” rrëzohen” nji e nga nji, mosha nuk po i mban mâ nga pesha e viteve.
Jeta ka ligjësitë e veta natyrale, por shoqëria duhet të gjej mekanizmat dhe të shtoj përpjekjet që, të tjerë ” filiza ” të rinj në kulturë dhe sporte të ripërtrihen, gja që nuk po ndodh dhe nuk ka gjasa të ndodhë për shumë kohë.
Prandaj, këto xhevahire që i kemi ende në mesin tonë, duhet të gjejmë arësye ti promovojmë ende në shumë mënyra.
Renato Radoja, asht njëri nga ato që në Shkodër po anashkalohet.
Ne, sportistët e tij, e duam dhe e nderojmë.
U bash 100 vjeç, profesor i dashtun!
Me urimin e ish basketbollistit Leonard Qyteza si dhe të mbarë opinionit sportiv dhe më gjërë, bashkohet edhe Veriu Sport. Urime profesor i nderuar,edhe 100 të tjera, me shëndet, freski dhe energji si në këtë ditëlindje të 81-të!