Elbasani ka siguruar një vend në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë pas një fitores dramatike 2-1 ndaj Flamurtarit, falë një goli spektakolar të Donart Ibraimit në minutën e 114. Ndeshja e zhvilluar ishte e fortë dhe e luftuar, duke dhuruar emocione deri në momentet e fundit.
Skuadra vendase kaloi në avantazh që në pjesën e parë, duke krijuar përshtypjen se do të kontrollonte lehtësisht sfidën. Por Flamurtari reagoi fuqishëm në pjesën e dytë dhe arriti të barazonte me golin e Oshafit, duke e kthyer ndeshjen në një luftë të vërtetë deri në sekondat e fundit.
Në minutat shtesë, Flamurtari kishte rast të artë për të kaluar në avantazh, por Trashi nuk e shfrytëzoi penalltinë, pasi portieri Totoshi ndaloi ekzekutimin e tij. Situata u komplikuar edhe më shumë për Elbasanin kur Musta u ndëshkua me të kuq, duke lënë ekipin vendas me 10 lojtarë.
Megjithatë, kur shumë menduan se ndeshja do të përfundojë pa fitues, Donart Ibraimi shkëlqeu në minutën e 114 me një goditje të jashtëzakonshme, duke shënuar golin e fitores 2-1 dhe duke vulosur kalimin e Elbasanit në çerekfinale.
Kjo fitore dramatike tregon forcën dhe karakterin e skuadrës vendase, që arriti të menaxhonte presionin dhe të shfrytëzonte momentin vendimtar për të avancuar në Kupën e Shqipërisë.



