Pas humbjes 1-0 një javë më parë në Shkup, Shkëndija e Tetovës do të provojë mundësitë për kualifikim të enjten në transfertë përballë Samsunspor, në ndeshjen e kthimit play off në Conference League, ora 18:45.
Në prag të kësaj sfide, trajneri i Shkëndijës, Jeton Beqiri ka folur në konferencë për shtyp: “Edhe para ndeshjes së parë e kam thënë dhe përsëri po e përsërisë, kemi të bëjmë me një kundërshtarë shumë të fortë dhe serioz. Normalisht sipas meje ishte favorit edhe para ndeshjes së parë edhe tani mbeten favorit për kalimin e raundit. Ne do të mundohemi të bëjmë maksimumin dhe të kemi një paraqitje sa më të mirë nesër”.
“Shpresojmë në një paraqitje sa më të mirë tonën nesër mbrëma dhe normalisht shpresojmë që Samsun të mos jetë në ditën më të mirë dhe pse jo besojmë në një rezultat pozitiv”.
“Gjithsesi, ne kemi një kundërshtar mjaftë serioz, edhe në ndeshjen e parë në Shkup edhe në ndeshjen e kthimit këtu në Samsun, ne e marrim me një respekt të jashtëzakonshëm sepse vetë liga ku garon Samsunspori e bëjnë një kundërshtarë shumë serioz”.
“Ne kishim vështirësi në ndeshjen e parë, pasi ishte ndeshja e parë e trajnerit të ri dhe kjo e vështirësoi shumë punën e analizës, ndërsa sa i përket takimit të nesër ne kemi më shumë informacione për mënyrën e lojës së Samsunsporit dhe normalisht ne do të mundohemi të shfrytëzojmë çdo mundësi që do të na jepet dhe të jemi të disiplinuar në aspektin defanziv”.
“Ne nuk mund të flasim shumë për analizat taktike, pasi këto janë gjërat që ne i flasim me skuadrën. Normalisht që kemi një marrëveshje dhe deri para ndeshjes do merremi vesh me futbollistët për mënyrën fikse se si do të luajmë. Megjithatë, e dimë se përballë kemi një skuadër shumë serioze, të cilës si fillim do të mundohemi ti bllokojmë anët e mira dhe pastaj të shprehim kualitetin tonë në aspektin e sulmit”.
“Kishim dy mungesa shumë të rëndësishme në Shkup për shkak kartonave dhe ata dy futbollistë kthehen. Çdo skuadër gjithmonë ka probleme sa i përket dëmtimeve dhe ne kemi disa futbollist që nuk janë në 100% e tyre, ku për aktivizimin e tyre do të vendosim para ndeshjes. Sa i përket pjesës së kapitenit nuk ishte i dëmtuar, por ishte ndryshim taktik”.
“Mendoj se fusha me shi e shpejton shumë lëvizjen e topit dhe bëhet problematike për lojtarët e mbrojtjes. Por, kjo ka të bëjë për të dyja skuadrat dhe është një gjë që nuk varet nga ne”.


