Sunday, November 24, 2024

…Historia vazhdon ….nga Rudi Vata tek Rocco Vata…Djali i legjendës së fubollit shqiptar, firmos për Sëlltikun e Glasgout në Skoci, aty ku i ati bëri histori vite më parë

Lexo

Rudi …..

Historia e djalit shkodran Rudi Vata, i cili falë talentit të tij të spikatur e filloi me shkollën sportive në Shkodër duke qenë më pas pjesë e Vllaznisë, kaloi tek Dinamo, titullar dhe kapiten autoritar tek kombëtarja shqiptare, për të vijuar më pas aventurën e tij spektakulare jashtë Shqipërisë në disa skuadra me emër europiane. Por, sigurisht që ndër to, Sëlltiku i Glasgout mbahet mend më shumë se të gjithë të tjerët, pasi aty, si shqiptari i parë që luante në futbollin skocez, që në opinion konsiderohej edhe si “Ambasadori i Shqipërisë në Skoci”, ishte protagonist kryesor i Sëlltikut në fitimin e trofeut të Kupës së Skocisë.

Rocco….

Dhe, historia vazhdon….kur sot, djali i tij 16-vjeçar , Rocco Vata nënshkruan një kontratë 3-vjeçare me Sëlltikun, aty ku babai i tij Rudi Vata, jo shumë larg në vite bëri histori.

Rasti në fjalë ka marrë vëmendjen e mediave të huaja dhe sidomos atyre skoceze duke e konsideruar Rocco Vaten si një yll i ri që po shndrit në futbollin skocez tek Sëlltiku, klubi i themeluar 133 vjet më parë, në vitin 1888, dhe që është një nga pesë skuadrat e vetme në botë që ka fituar mbi 100 trofe.

Nga sa shprehen edhe vetë specialistët dhe drejtuesit e klubit skocez, ndër to edhe Chris MeCarth me detyrë drejtor i Akademisë së Sëlltikut,  Roccon e cilësojnë si një sulmues tepër të talentuar, i cili duke luajtur në të njëjtin pozicion si Cristiano Ronaldo, besojnë shumë se do të ecë në gjurmët e karrierës së tij sportive.

Ruan…

E veçanta e kontratës tre vjeçare firmosur aktualisht nga Rocco Vata për llogari të klubit skocez Sëlltik është se gjithçka është zyrtarizuar nën përkujdesjen profesionale të vëllait të tij më të madh, djalit tjetër të Rudi Vatës, Ruanit. Për ato që nuk e dinë, edhe Ruani ka pasur passion futbollin duke u aktivizuar me ekipet e Sëlltikut, më pas preferoi të kalonte në sportin e boksit, madje një sfidues i flaktë dhe i suksesshëm në ring. Por, tashmë, Ruan Vata është pozicionuar në një detyrë jo pak të rëndësishme duke marrë përsipër të drejtojë kompaninë “Vata Vision Football Management” të themeluar vite më parë nga babai i tij.

Një kompani, e cila është shumë e njohur në menaxhimin e shumë futbollistëve, shqiptarë dhe jo vetëm në klubet europiane dhe më gjërë në kontinentet e tjera. Mediat skoceze bëjnë të ditur se nënshkrimi i kontratës së Rocco Vatës u bë në prezencën juridike të Ruan Vatës në cilësinë e Drejtorit Ekzekutiv të kompanisë “Vata Vision Football Management” duke u deklaruar si agjenti i të vëllait të tij.

Kombëtarja…

Dhe, së fundi edhe diçka tjetër për Roccon, por tashmë në cilësinë e një futbollisti përfaqësuese. Përpos pasaportës së Shqipërisë, origjinës së babait, ai ka edhe pasaportën irlandeze të origjinës së nënës së tij, por në të njëjtën kohë edhe atë skoceze ku familja “Vata” jeton prej shumë vitesh. Në të tilla kushte, me rritjen dhe formimin e tij si futbollist që të tre kombëtaret e nacionaliteve që theksuam më sipër do të donin ta kishin në kombëtaret e tyre. Madje, Irlanda është treguar më e shpejta në këtë drejtim, kur një vit më parë e thirri zyrtarisht në kombëtare U-15 duke e bërë pjesë të një Turneu të rëndësishëm Ndërkombëtar ku edhe shkëlqeu në formacionin irlandez. Kohët e fundit, në lëvizje është vënë edhe Federata Shqiptare e Futbollit, e cila përmes specialistëve të saj po kryen proçedurat e duhura për mundësinë e veshjes kuqezi të talentit me tre pasaporta, Rocco Vata.

Gaspër MARKU

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img