Sunday, November 24, 2024

(Intervista) Kryebashkiaku matjan Agron Malaj premton një Burrel pretendent për kalimin në Superiore edhe për sezonin e ri futbollistik 2021-2022

Lexo

Miqësorja, Vllaznia-Burreli e luajtur të premten e kaluar në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës përfundoi me fitoren e kuqebluve me rezultatin 2 me 1.  Por, për hirë të së vertetës, me atë çfar u pa në fushën e lojës, futbollistët matjanë bënë një paraqitje dinjitoze, kaluan të parët në avantazh dhe gjatë ndeshjes e vunë jo pak në vështirësi Vllazninë me krijimin e disa raste të pastra shënimi në portën e Zogoviç. Një skuadër kjo që në sezonin e kaluar futbollistik ishte pretendente kryesore për të dalë në Superiore deri në javën e fundit. Krahas të tjerave, një meritë për ringritjen e Burrelit në këto nivele ka edhe edhe kryebashkiaku matjan, Agron Malaj, i cili miqësoren Vllaznia-Burreli e ndoqi nga afër në tribunën e stadiumit “Loro Boriçi”, në përfundim të së cilës dha prononcimin e tij për Veriu Sport.

E vështirë për ta ringritur Burrelin në nivelet konkuruese të futbollit shqiptar?

Vështirësi ka pasur jo pak, Burreli ka qënë një ekip me traditë shumë të madhe. Ne, me punën që kemi bërë kemi arritë që ta ngrejmë si futboll, që siç e thatë edhe ju vitin e kaluar ishim në një lartësi shumë të mirë, ku në fakt ishim shumë pranë objektivit që kishim për kategorinë Superiore deri në javën e fundit. Megjithatë, shpresojmë që këtë vitë synojmë që të kapim atë ëndrrën matjane, që është Superliga.

Realisht, prania e shkodranit Samuel Nikaj në pankinën e Burrelit vitin e kaluar bëri që për skuadrën matjane të bënin tifo jo pak të gjithë veriorët, përfshirë edhe shkodranët.

E vertetë, Samueli ka qënë një trajner shumë, shumë i mirë dhe ka qënë kënaqësi të punosh me të. Një nga trajnerët më të mirë që ka sot, jo vetem kategoria e parë, por edhe Superiorja. Kështu, që shpresojmë të jemi në atë rrugë, në atë linjë edhe këtë vitë, që të kemi sportdashës të shumtë, por edhe të realizojmë ëndrrën tonë të kalimit në Superiore.

Ndërkohë, aktualisht në pankinën matjane është ulur një emër po aq i njohur i futbollit shqiptar, i cili ka luajtur edhe me Vllazninë, si Saimir Patushi. Të kënaqur me këtë zgjedhje që keni bërë?

Ne jemi shumë të kënaqur, jo vetëm që Saimiri është nga Mati, por edhe si lojtar, një ikonë e vertetë e futbollit shqiptar, një njeri që ka dhënë shumë kontribute. Dhe, shpresojmë që së bashku me Saimirin të ecim përpara drejt realizimit të ëndrrës që kemi për Superioren.

Kampionati i sivjetëm i kategorisë së parë, për nga organizimi që i është bërë, pritet të jetë edhe më i fortë dhe lufta sportive për një vend në Superiore do të jetë akoma më e madhe. Do të jetë përsëri Burreli me ato pretendime si vitin e kaluar?

Burreli pretendon sërish, do të jemi gjithmonë në garë, gjithmonë në betejë. Me formacionin që kemi ndërtu mendojmë se jemi pretendent për të dalë në Superligë, dhe shpresojmë shumë që me punën tonë të madhe dhe të gjithë së bashku t’ia arrijmë këtij objektivi për të dalë në Superligë.

Burreli, ka pasur vazhdimisht bashkëpunime me Shkodrën duke aktivizuar futbollistë të Vllaznisë. Do të vijojë në të ardhmen përsëri ky bashkëpunim?

Patjetër që do të vazhdojë ky bashkëpunim, ne akoma jemi duke marrë lojtarë nga Shkodra dhe konkretisht të Vllaznisë, kemi lojtarë dhe element shumë të mirë. Përfitoj nga rasti t’i uroj suksese Vllaznisë dhe këtë vitë ta fitojë Superligën.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img