Thursday, May 16, 2024

Boks-Tetovë. Kampionët shkodranë Arjon Kajoshi dhe Nelson Hysa fitojnë në Turneun Ndërkombëtar të boksit profesionist, „Night of the Champions„

Lexo

Qyteti i Tetovës në Maqedoninë e Veriut ka përjetuar mbrëmjen e së shtunës së 29 korrikut emocione të shumta, teksa publiku i shumtë ka përcjellë nga Sheshi Iliria Turneun Ndërkombëtar të boksit profesionist „Night of the Champions „. Aktivitet ky organizuar nga Boxclub Shkëndija me drejtues Halim Abazi, në programin e të cilit spikasnin edhe katër duelet e boksierëve shqiptarë: Arjon Kajoshi, Denis Nurja, Alban Bermeta dhe superkampioni i peshave të rënda, Nelson Hysa, të cilët shoqëroheshin në këtë turne nga trajnerët e boksit profesionist të Shqipërisë, shkodranët Zef Gjoni dhe Lazarin Vila.

I startuar që në orën 18:00, turneu i boksit profesionist i ndërthurur edhe me spektakël artistik zgjati mbi 7 orë, atëherë kur në 01:00 të 30 korrikut është mbyllur ndeshja e fundit, e 16-ta sipas radhës, ajo në mes boksierit shqiptar, kampionit nga Shkodra, Nelson Hysa, i cili në kategorinë e peshës super të rëndë mundi kundërshtarin e tij nga Argjentina, Marcos Antonio Aumada.

Një ndeshje kjo me një luftë të fortë sportive gjatë tre raundeve të para, e kontrolluar dhe e dominuar nga Hysa, i cili u pa të kishte vazhdimisht iniciativen dhe epërsinë në pikë. Nga fundi i raundit të tretë, ndeshja u ndërpre për t’i ardhur në ndihmë boksierit argjentinas për një shqetësim që ai shfaqi në klavikulën e majtë.

Ndonëse boksieri argjentinas dëshironte ta vazhdonte betejen në ring, ka qënë mjeku i garës, i cili ka rekomanduar ndërprerjen e ndeshjes, e cila edhe pse ishte planifikuar me tetë raunde, u mbyll në të tretin duke i dhënë fitoren boksierit shkodran, Hysa.

Fitorja e dhjetë radhazi kjo për Nelson Hysën në dhjetë ndeshje të boksit profesionist, e cila e përmirëson akoma më shumë bilancin e tij në rang listën botërore të boksit profesionit.

Më herët, në duelin e katërt të turneut në ring është ngjitur boksieri tjetër shkodran, Arjon Kajoshi, i cili në kategorinë e peshës 74 kg u përballë me boksierin nga Bosnja Hercegovina, Branko Beko.

Një ndeshje e programuar të boksohej me gjashtë raunde, por që breshëritë e boksierit shkodran Kajoshi që në start të takimit bënë që kundërshtari i tij të kalonte brenda 60-të sekondash në dy nogdaume dhe më pas trajneri i tij të hidhte peshqirin duke e tërhequr boksierin e tij nga gara.

Në këtë mënyrë, kampioni shkodran Kajoshi, del fitues duke koleksionuar fitoren e tetë radhazi në po kaq ndeshje të boksit profesionist.

Bukurinë këtij turneu ia dhanë edhe përfaqësimet dinjitoze nga ana e dy boksierëve të tjerë shqiptarë, kampionëve nga kryeqyteti i Tiranës, Alban Bermeta dhe Denis Nurja. Boksierë këto që i mbyllen ndeshjet e tyre me fitore, i pari Bermeta me nokaut që në    raundin e parë dhe i dyti, Nurja, me pikë pas gjashtë raundesh boksim cilësor.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img