Thursday, April 25, 2024

(Ekskluzive)-Rudi Vata: Vllaznia dominoi me Partizanin, mund të fitonte edhe më thellë. Sfida e së hënës në Durrës me Teutën, përcaktuese për Vllazninë në objektivat e titullit kampion.

Lexo

Ish kapiteni i kombëtares shqiptare, por edhe ish futbollisti dhe ish trajneri i Vllaznisë, Rudi Vata ishte i pranishëm dje në tribunën e stadiumit “Loro Boriçi” duke ndjekur prej së afërni ndeshjen çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, Vllaznia-Partizani. Në mbyllje të takimit, i cili u fitua nga kuqeblutë me rezultatin, 3-1, Rudi Vata, foli ekskluzivisht për Veriu Sport.

Rudi, Vllaznia mposht Partizanin në sfidën e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë, komenti juaj?

Po, sigurisht një fitore e merituar e Vllaznisë, një fitore e merituar, e fituar me luftë, me shpirt gare, ku edhe kushtet atmosferike nuk ishin optimale. Por, një Vllazni më këmbëngulëse, një Vllazni më me trimëri, më e fortë në dyluftime. Një fitore, më se e merituar për mendimin tim.

Rezultati, 3-1 në favor të Vllaznisë, i përgjigjet lojës, sipas jush?

Sigurisht, sepse ishte një Vllazni që për 90-të minuta ka qënë dominante, e cila ka fituar pothuajse të gjitha dyluftimet. Madje, nëse rezultati do të ishte edhe më i thellë, do të ishte krejt normale. Një Partizan, që për mendimin tim, nuk shfaqi vlerat e Partizanit elitar, Gjithësesi, kjo është një ndeshje kupe dhe sigurisht, me këtë fitore, Vllaznia ka bërë një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit.

Mendoni, që pas dy javësh, në ndeshjen e kthimit në kryeqytet, Vllaznia kualifikohet në gjysëmfinalen e Kupës së Shqipërisë?

Shiko, kapacitetet që ka Vllaznia, mendoj se i ka të mjaftueshme për të qënë në gjysëmfinalet e Kupës së Shqipërisë. Mendoj, se ka lojtarë mjaftueshëm të mirë, me eksperience. Sigurisht që duhet punuar edhe në ndeshjen e kthimit, por një skuadër me seriozitet loje dhe stabilitet siç ishte Vllaznia sot, mendoj që do të kualifikohet, dhe pse jo, të synojë edhe fitoren e trofeut të Kupës.

Ndërkohë, të hënën e ardhshme, Vllaznia luan në stadiumin “Niko Dovana” përballë Teutës së Durrësit. Si e parashikon Rudi Vata këtë ndeshje?

Teuta, me Martinin, ka bërë një ngjitje të jashtëzakonshme, është transformuar si skuadër, ka pasë rezultate shumë të mira. Do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme, si për Teutën dhe ashtu edhe për Vllazninë. Kështu, që mendoj, se duhet të jeshë skuadër kompakte që të shkosh dhe të fitosh në Durrës, sepse Teuta vjen nga një rezultat shumë pozitiv me Tiranën në kryeqytet, dhe Vllanzia vjen nga një humbje ndaj Kastriotit këtu në Shkodër. Por gjithësesi, do të jetë një ndeshje që do të tregojë edhe karakterin e skuadrës, por sigurisht do të tregojë edhe ambicjen e skuadrës se ku do të përfundojë kjo Vllazni në fund të sezonit. Sepse, mendoj se kjo është një ndeshje tepër delikate për të ardhmen e Vllaznisë në kampionatin shqiptar.

Rudi, në Shkodër, presin që këtë sezon futbollistik, Vllaznia t’i fitojë të dy trofetë, Kupë dhe kampionat. Mendoni, se kuqeblutë e kanë të mundur një gjë të tillë?

Unë, mendoj se Vllaznia ka lojtarë mjaftuesëhëm në përbërje. Sigurisht që ka marrë edhe një futbollist elitar siç është Balaj, një ish lidër i ekipit tonë kombëtar. Sigurisht, që ka kualitete të mira, ka potencial të madh, por duhet të jenë të bashkuar, dhe mendoj se duhet të jenë konstant. I ka munguar vazhdimësia kësaj Vllaznie, dhe mendoj që duke parë situatën në tabelën e klasifikimit, Vllaznia është në lojë për të dy trofetë.

Krahas, Vllaznisë, kush mendoni se janë rivalët kryesorë për titullin kampion?

Tirana, skuadra që është në vendin e parë dhe normalisht, ka kohë që është në atë pozicion. Por, është një Tiranë, që Vllaznia ka vertetuar në ndeshjet direkte që mund të luftohet. Por, siç e thashë më herët, pikët janë të mjaftueshme në lojë. Tirana, pë rmendimin tim, është kundërshtari më i rrezikshëm i Vllaznisë për trofeun e kampionatit, dhe besoj, se nëqoftëse Vllaznia do të marrë stabilitetin e duhur të fitoreve, mendoj që ka mundësinë, pse jo që të dalë fituese e titullit kampion këtë sezon futbollistik.

Intervistoi: Gaspër MARKU

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img