Wednesday, November 6, 2024

(Video)Futboll Femra-Java e 21-të/Vllaznia bën detyrën, mund 10-0 Tiranën AS dhe kryeson me pikë të plota

Lexo

Kampionati Kombëtar i Futbollit për femra luajti sot javën e 21-të. Edhe pse e ka siguruar titullin kampion disa javë përpara përfundimit të kampionatit, Vllaznia e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka dhe kolegu i tij, Arben Parmeza, nuk toleron aspak në fushën e lojës duke vijuar të kryesojë me pikë të plota. Kështu ka vepruar edhe këtë të shtunë kur në përballjen me Tiranën AS ka tundur plot 10 herë rrjetën kundërshtare pa pësuar asnjë të tillë në portën e tyre.

Ndeshja e luajtur në stadiumin “Reshit Rusi” të qytetit të Shkodrës ka filluar me gol për skuadrën kuqeblu, kur është kapitenia Esmeralda Franja që tund rrjetën mike në minutën e dytë. Më pas vijnë edhe tre gola të tjerë radhazi me autore Gresa Berisha 9’, Arbenita Curraj 17’,  Zelfije Bajramaj 25’ duke e mbyllur pjesën e parë me rezultatin e thellë 4-0.

Pas pushimit del në skenë Megi Doçi, golëshënuesja më e mirë e Vllaznisë dhe e krejt kampionatit. 57’, 58’, 62’, janë minutat kur Megi Doçi e dërgon topin në rrjetën bardheblu të Tiranës. Më pas është sërishmi kapitenia Franja që në të 68-ten shënon golin e tetë për Vllazninë si dhe të dytin personal. Të njëjtën gjë bëjnë edhe Gresa Berisha dhe Zelfije Bajramaj, që me golat e shënuar në minutat 77’ dhe 81’ regjistrojnë dopieta individuale, ndërkohë që shifra e golave të Vllaznisë shkon në 10 kundrejt asnjë të kundërshtarit.

Dy skuadrat e tjera të Shkodrës në futboll për femra, Juban Danja Murlani dhe AAS kanë luajtur në transfertë dhe që të dyja janë mundur nga kundërshtarët e tyre. Për hirë të së vertetes, Juban Danja Murlani ka zhvilluar një ndeshje shumë dinjitoze përballë Kinostudios. Pjesa e parë foli për kryeqytetaset, të cilat shënuan dy gola me Amarda Xhebrahimin fillimisht në minutën e 22-të dhe pak minuta më vonë, Lulaj dyfishon rezultatin. Në fraksionin e dytë të lojës, Vasa e Juban Danjës shënon dopietë për shkodranet, duke barazuar rezultatin e lojës. Pak minuta para fundit të takimit, Xhebrahimi shënon golin e tretë dhe të fundit për Kinostudion, duke i dhënë fitoren ekipit kryeqytetas. Ndërsa, AAS është mundur 3 me 0 nga Teuta e Durrësit.

Tirana ka qënë mysafire në Korçë ku ka fituar me rezultatin e thellë 0-7 ndaj Skënderbeut. Apolonia fitoi në tavolinë derbin e Myzeqesë, ndaj Lushnjes, pasi këto të fundit nuk u paraqitën në ndeshje. Fieraket arritën kështu të sigurojnë vendin e dytë edhe për sezonin 2020-2021.

Jo çdo gjë ka shkuar mirë këtë javë në kampionatin e futbollit të femrave, pasi në ballafaqimin e kryeqytetit mes Partizanit vendas dhe Bilisht Sportit mysafir ndeshja u ndërpre për shkak të disa problemeve shëndetësore të shfaqura nga vajzat e ekipit të Bilishtit, për të cilën kanë ndërhyrë strukturat mjekësore të kryeqytetit duke normalizuar situatën në fjalë.

Rezultatet e javës së 21-të

Vllaznia Tirana AS 10-0, Kinostudio Juban Danja 3-2,   Apolonia Lushnja 0-0, KF Teuta AAS 3-0, Skëndërbeu Tirana 0-7, Partizani – Bilisht Sport, e ndërprerë. Në vijim ju ftojmë të shijoni dy gola spektakël të futbollistes kuqeblu, Megi Doçi, shënuar në ndeshjen, Vllaznia-Tirana AS e mbyllur 10-0 pë Vllazninë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img